Sfida e radhës për liberalizimin e vizave - Në Këshill lufta e vërtetë!

Parlamenti Evropian dje votoi pro liberalizimit të vizave të Kosovës me Bashkimin Evropian. Për të ndodhur lëvizja e lirë e kosovarëve në zonën Schengen duhet kaluar edhe votimi i ministrave të brendshëm të shteteve anëtare. Ky njëherësh është stacioni i fundit vendimmarrës për lëvizje pa viza, shkruan Gazeta "Zëri". 

Njohësi i çështjeve të integrimeve, Taulant Kryeziu, e ka mirëpritur lajmin nga Parlamenti Evropian, mirëpo ka theksuar se tani lufta e vërtetë do të zhvillohet në Këshill të Ministrave, ku shtetet kryesore mbeten skeptike për Kosovën.

“Është lajm i mirë marrja e dritës se gjelbër nga Parlamenti Evropian për të negociuar me vendet anëtare. Tanimë lufta e vërtetë diplomatike duhet të zhvillohet te vendet kryesore të Bashkimit Evropian, te Franca, Gjermania, Holanda e Belgjika, me qëllim që të krijohet momentum që të merret edhe vota e tyre në Këshill, aty ku përfundimisht vendoset sa i përket fatit të lëvizjes së lirë për qytetarët tanë. Pra, nuk është përfunduar puna, puna kryesore është në Këshill”, ka thënë Kryeziu për “Zërin”.

Ai po ashtu ka theksuar se hapi i fundit për liberalizim të plotë të vizave mbetet Këshilli i Ministrave, i cili edhe e ka fjalën finale për këtë çështje.

“Nëse Këshilli në fund nuk ka ndonjë kundërshtim mbi propozimin e Parlamentit akti miratohet e në shumicën e rasteve sa u përket vizave kjo gjë përfundon në lexim të parë. Nuk ka afat të përcaktuar në lexim të parë se kur duhet të bashkëvendosin këto dy institucione, por tani fillon diskutimi me vendet anëtare të BE-së, bisedat në grupe punuese, pastaj në nivel ambasadorësh, aprovimi dhe në fund dorëzohet te Këshilli i Ministrave i BE-së, i cili duhet të votojë amendamentimin”, ka thënë më tutje ai.

Ndërsa duke folur për atë që duhet të bëjnë institucionet e Kosovës, Kryeziu ka thënë se këto të fundit duhet të punojnë ende me qëllim që t’i bindin shtetet e BE-së që janë skeptike për këtë çështje.

“Duhet të jemi të kujdesshëm t’i menaxhojmë pritshmëritë. Puna e madhe është në Këshill, ku ne duhet të bindim vendet anëtare qe të mbështesin këtë proces e kjo bëhet nëse ne japim shembuj pozitivë të respektimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit, të ndërtimit të një sistemi me njerëz kredibilë, transparentë dhe me integritet, në mënyrë që të marrim atë shumicë të kualifikuar të nevojshme prej 55% të vendeve anëtare, ose 16 vende që përfaqësojnë 65% të popullsisë”, ka theksuar ai. /ZERI