LDK-ja e PSD-ja s’janë të gatshme për protesta

Derisa Lëvizja Vetëvendosje ka filluar mobilizimin për protesta “në mbrojtje të integritetit territorial”, pas kërkesës së presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të kufijve” me Serbinë, dy subjektet tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Socialdemokrate (PSD), ende nuk kanë vendosur nëse do t’u bashkohen këtyre protestave. Në LDK thonë se do të angazhohen për t’i shterur të gjitha rrugët institucionale dhe se protestat i shohin si mjetin e fundit, ndërsa në PSD thonë se nuk kanë marrë ndonjë ftesë nga Vetëvendosja për organizim të protestave, shkruan sot Gazeta "zëri".

Deputetja nga radhët e PSD-së, Besa Baftiu, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se kjo parti ende nuk ka diskutuar për mundësinë e organizmit të protestave. “Ne nuk kemi marrë kërkesë prej Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me këtë dhe ne nuk e kemi diskutuar këtë. Ende nuk e kemi pasur mbledhjen e Kryesisë dhe do të diskutojmë. Momentalisht nuk ka diçka të re”, ka thënë ajo.

Rugova: Diskutimin për protesta nuk e kemi as në agjendë

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Naser Rugova në një prononcim për “Zërin” ka thënë se kjo parti ende nuk është mbledhur që të diskutojë për thirrjen e LVV-së për protesta, pasi ende nuk ka nevojë për protesta. “LDK-ja ende nuk ka diskutuar për këtë çështje, por ne vazhdojmë të angazhohemi fuqishëm dhe t’i shterim të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese në mbrojtjen e integritetit dhe të sovranitetit të vendit. Për protesta në parim LDK-ja konsideron që rruga është momenti i fundit. Për këtë vendos kryetari dhe Kryesia e LDK-së. Ende nuk është diskutuar dhe nuk është në agjendë të bisedimeve një gjë e tillë”, ka thënë ai.

Rugova ka treguar se nga fillimi i kësaj jave do t’i bëjnë publike disa hapa, të cilët kjo parti është duke i shqyrtuar. “As pozita dhe as ne si opozitë nuk i kemi votat. Duhet ta kemi të qartë që rezoluta votohet me 61 vota. LDK-ja do të dalë me vendime konkrete në interes të shtetit të Kosovës. Jemi duke analizuar dhe duke e përcjellë me vëmendje të madhe situatën. Besoj që LDK-ja nga fillimi i javës së ardhshme do t’i bëjë publike edhe disa hapa tjerë që jemi duke i shqyrtuar si parti”, ka thënë ai.

Abazi: Protesta ka mbetur si instrumenti i fundit për ta mbrojtur Kushtetutën

Analisti politik Haki Abazi ka thënë për “Zërin” se protesta ka mbetur instrumenti i fundit për ta mbrojtur kushtetutshmërinë e Kosovës. Sipas tij, askush nuk duhet të rrijë duarkryq dhe të shohë se si e njëjti ekip dhe presidenti Hashim Thaçi po e degradojnë kushtetutshmërinë e Kosovës. Protesta nuk ma merr mendja që ka të bëjë vetëm me punën e kufijve dhe vetëm me dialogun, por ka të bëjë me injorancën që është duke iu bërë Kushtetutës dhe institucioneve të Kosovës. Kosova është shtet parlamentar dhe presidenti nuk ka mandat për të bërë dialog me askënd e aq më pak një dialog, i cili është sekret dhe i paqartë”, ka thënë ai.

Abazi ka theksuar se Vetëvendosja asnjëherë nuk ka hequr dorë nga protestat për mbrojtjen e vendit. “Opozita tentoi që në mënyrë institucionale, nëpërmjet rezolutës të marrë vendim që të mos lejohet pa mandat askush të bëjë dialog dhe ajo u bllokua në mënyrë mafioze prej pozitës duke e emëruar në moment të fundit Fatmir Limajn si koordinator të grupit negociator, vetëm që ta bllokojnë procesin demokratik parlamentar. Vetëvendosja e ka gati si pjesë përbërëse të gjenetikës së saj protestën si instrument të mbrojtjes së interesave të vendit”, ka thënë ai.