Thaçi s’i bindet Kuvendit
Kuvendi i Kosovës të martën e ardhshme pritet ta miratojë një rezolutë, në të cilën do të shprehet qëndrimi i përfaqësuesve të popullit kundër “korrigjimit të kufijve” me Serbinë. Mirëpo Bekim Çollaku, shef i stafit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka thënë gazetës “Zëri” se sovraniteti i Republikës së Kosovës mbrohet vetëm nga Kushtetuta e vendit e jo nga rezolutat e miratuara në Kuvend, shkruan sot Gazeta "Zëri"
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka në plan ta ndalë iniciativën e tij për “korrigjimin e kufijve” me Serbinë edhe nëse Kuvendi i Kosovës të martën e ardhshme e miraton një rezolutë, në të cilën shprehet qëndrimi i legjislativit kundër ndryshimit të kufijve të vendit.
Bekim Çollaku, shef i stafit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka thënë gazetës “Zëri” se sovraniteti i Republikës së Kosovës mbrohet vetëm nga Kushtetuta e vendit e jo nga rezolutat e miratuara në Kuvend. “E para, Presidenca dhe çdo institucion tjetër i Republikës së Kosovës i respekton vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. E dyta, integriteti territorial, sovraniteti i Republikës së Kosovës mbrohen vetëm nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe jo me ndonjë rezolutë ose me ndonjë deklaratë e cila mund të bëhet qoftë nga Kuvendi, qoftë nga kushdo tjetër”, ka thënë Çollaku për “Zërin”.
Ai megjithatë shprehet i vendosur se asnjë institucion shtetëror e as presidenti i Republikës së Kosovës asnjëherë me veprimet e tyre nuk do ta vënë në pikëpyetje sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër drejtuesit e partisë më të madhe opozitare (LDK) thonë për “Zërin” se asnjë lider shtetëror nuk guxon ta kundërshtojë vullnetin e shumicës së Kuvendit të Kosovës pasi rezoluta pritet të votohet nga më shumë se 80 deputetë.
Haradinaj dhe Thaçi me qëndrime të kundërta
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së djeshme pas një takimi që ka zhvilluar me ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie, ka thënë se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk guxon të përfshijë lëvizje të kufijve. Ai ka thënë se SHBA-ja mirëpret një marrëveshje Kosovë - Serbi me njohje të Kosovës.
Sipas shefit të ekzekutivit, të gjithë bashkë duhet të bien dakord se duhet të ndodhë dialogu dhe të arrihet marrëveshje, por kjo marrëveshje nuk guxon të përfshijë lëvizje të kufijve. “Kjo marrëveshje nuk guxon ta përfshijë prishjen e sovranitetit dhe të integritetit territorial ose lëvizjen e kufijve në territorin e Kosovës. Besoj në këto dy tema pajtohemi të gjithë në Kosovë. Po ashtu si AAK, por edhe si kryeministër do ta jap përkrahjen në ruajtjen e integritetit dhe të sovranitetit të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkohë presidenti Hashim Thaçi gjatë ditës së djeshme në një postim në rrjetin social “Facebook” ka kritikuar opozitën për “propagandën kundër aleatëve”.
“Nuk ka fatkeqësi më të madhe për shtetin dhe për qytetarët e Kosovës kur disa parti opozitare ose disa individë e vendosin në pikëpyetje përkrahjen e SHBA-së dhe të aleatëve tanë kryesorë. Kjo situatë është për keqardhje”, ka thënë Thaçi.
“Kjo propagandë e paskrupullt e partive opozitare kundër aleatëve tanë ndërkombëtarë, e mbështjellë me panikun për gjoja cenimin e sovranitetit shtetëror, është e rrezikshme dhe e turpshme”, ka thënë mes tjerash Thaçi.
Hoti: Rezoluta e Kuvendit e obligon Thaçin
Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë për “Zërin” që askush nuk guxon të kundërshtojë vullnetin e shumicës së Kuvendit të Kosovës pasi kjo rezolutë pritet që të votohet nga më shumë se 80 deputetë. “Me gjasë rezoluta do të aprovohet me mbi 80 vota. Duke qenë kështu, nuk ka mekanizëm politik më të fuqishëm për të shprehur vullnetin e qytetarëve të Kosovës përmes deputetëve të Kuvendit të Kosovës si të zgjedhur të qytetarëve”, ka thënë Hoti.
Ndërsa i pyetur se nëse miratimi i kësaj rezolute mund ta ndalë presidentin e Kosovës që të mos e diskutojë çështjen e kufijve, Hoti ka thënë që rezoluta është e obligueshme për të gjithë. “Nuk besoj se dikush ka guxim të ndërmarrë hapa që bien në kundërshtim me vullnetin e shumicës dërrmuese të deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Rezoluta që nxirret në Kuvendin e Kosovës është e obligueshme për të gjithë. Nuk është diskrecion i askujt të veprojë ndryshe”, ka theksuar Hoti.
Ndërsa pjesëmarrjen në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita e ka konfirmuar edhe deputeti nga radhët e Nismës, Bilall Sherifi, i cili në një prononcim për gazetën “Zëri” ka deklaruar se kjo parti do të marrë pjesë në thirrjen e seancës së jashtëzakonshme në kundërshtim të korrigjimit të kufijve. Sipas tij, kjo rezolutë do të shprehte qëndrimin e të gjitha partive politike, të cilat janë kundër ndryshimit të kufijve, duke përshirë edhe ato të kryeministrit Ramush Haradinaj.
Analistët: S’ka korrigjim pa AAK-në dhe pa Nismën
Njohësi i çështjeve politike të vendit, Belul Beqaj, konsideron që rezoluta e cila do të formohet nga opozita për dialogun ndonëse është shumë nevojshme nuk do të përkrahet nga presidenti Thaçi. “Veprimet e opozitës, ndonëse të vonuara, janë në përputhje me reagimin dhe me përgjegjësinë politike që e kanë. Rezoluta është argumenti politik më serioz, i cili përçon një mesazh serioz për disponimin e sovranit pa pëlqimin e të cilit asnjë vendim nuk ka legjitimitet. Politikani serioz do të ndalet, por meqë fjala është për një politikan të shantazhuar mund të ndodhë edhe e kundërta”, ka thënë Beqaj për “Zërin”.
Beqaj mes tjerash ka thënë që kundërshtimi i korrigjimit të kufijve nga dy subjektet e koalicionit PAN, AAK-ja e Nisma, pavarësisht se janë kontribuuese indirekte “të aventurës” së Thaçit, megjithatë ato e bëjnë më të vështirë realizimin e një plani të tillë.
Ndërsa politologu Bekim Baliqi i ka thënë gazetës që nëse ka unitet politik për rezolutën e re për dialogun do të kishte mundësi t’i parandalonte bisedimet e Thaçit për kufijtë e Kosovës. Mirëpo sipas tij, qëndrimi i dy partive në koalicionin qeverisës (AAK-ja e Nisma) është i paqartë. “Është me rëndësi të mbahet seanca dhe të sqarohet në Kuvend rreth mandatit të presidentit në negociata. Por është e habitshme se si mund të jenë partitë që bashkëqeverisin me qëndrim të tillë, ku nuk shfaqën aspak interes t’i udhëheqin negociatat. Kur i shtohet kësaj edhe paqartësia e platformës së Kosovës në këto negociata, shtrohet pyetja: Çka po kundërshtojnë ato në të vërtetë?”, ka thënë tutje Baliqi./ZËRI