Rashiq: Gjermania s’e do një 'Siri të Re' brenda Evropës

Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Demokratike Progresive në Kosovë, gjatë një interviste për “Zërin” ka deklaruar se shkëmbimi i territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të nxisë luftë të re, prandaj Gjermania nuk dëshiron ta importojë një “Siri të Re” brenda Evropës, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Shkëmbimi i territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën gjë po angazhohen presidentët, Thaçi dhe Vuçiq, mund të nxisë trazira dhe luftë të re, prandaj Gjermania nuk po dëshiron ta importojë një “Siri të Re” brenda Evropës.

LEXO EDHE: Sot diskutohet për vizat në LIBE, nesër vendoset

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” kryetari i Partisë Demokratike Progresive në Kosovë, Nenad Rashiq, duke shtuar se disa nga shokët e tij, bashkëpunëtorët e tij serbë, kanë vendosur të ikin nga Kosova pikërisht nga tensioni i krijuar muajve të fundit nga të dy presidentët.

Ai shprehet se 99 për qind e serbëve, të cilët jetojnë në jug të Ibrit, nuk e përkrahin idenë e Thaçit dhe të Vuçiqit për shkëmbimin e territoreve. Sipas tij, një ide të tillë nuk e përkrah as Kisha Ortodokse Serbe, prandaj politikanët në Beograd po e detyrojnë shumicën e besimtarëve serbë që të mos shkojnë as në Kishë.

“Me shumë përgjegjësi mund të them se kjo formë e manipulimit, e shantazheve nuk ka ekzistuar as në komunizëm”, shprehet Rashiq.

Ish-ministri i Punës në Qeverinë e Kosovës thotë se Serbia nuk dëshiron ta japë Luginën e Preshevës jo për shkak të konceptit etnik të ndarjes, por për shkak të konceptit ekonomik. “Korridori 10 është shumë me rëndësi për Beogradin, pasi është korridori i vetëm që e lidh Serbinë me Maqedoninë dhe me Greqinë, prandaj një gjë e tillë nuk do të ndodhë”, ka thënë mes tjerash Rashiq në intervistën për “Zërin”.

Duke folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ai ka thënë se Asociacioni s’mund të ketë kompetenca ekzekutive, ndërsa për formimin e ushtrisë ka thënë se kjo nuk është çështje urgjente e Kosovës kur vendi de facto është në NATO.

Thaçi dhe Vuçiq po shesin mjegull

Zëri: Në fillim të muajit të ardhshëm pritet të vazhdojë faza finale e dialogut Kosovë - Serbi. Çfarë marrëveshje prisni?

Rashiq: Nuk pres se mund të ketë ndonjë marrëveshje. Për këtë që po përpiqen dy presidentët, Thaçi dhe Vuçiq, është shitje e  mjegullës. Marrëveshja finale nuk përfundon vetëm me nënshkrim, ajo është një proces që përfshin zbatimin aktual në terren. Procesi i pajtimit është mbi të gjitha proces tjetër dhe ai krijon një ambient pozitiv mes palëve ose popujve, të cilin deri në këtë moment këtë nuk e kemi arritur. Dhe nuk mund të na tregojë Hashim Thaçi që jemi për paqe e stabilitet, ndërsa deklarata tjetër është që bashkëfolësi i tij, Aleksandër Vuçiq, i përdor këta terma për të kritikuar ose për të fyer bashkëfolësin e tij. Prandaj kjo nuk është marrëveshje finale, ata po shesin mjegull, sepse nuk janë optimistë që në fund mund ta bëjnë një marrëveshje si duan, prandaj termat si: ndarja, shkëmbimi, korrigjimi nuk besoj që do të kenë vlerë dhe peshë.

Zëri: A mendoni se ka gjasa të arrihet ndonjë marrëveshje për shkëmbim të territoreve, veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës?

Rashiq: Gjithçka është e mundshme, por kjo është e keqe për komunitetin serb sepse ndarja e ka një sistem, ku qoftë një president ose tjetri e favorizon një pjesë të komunitetit në një pjesë të Kosovës, dhe nga ana tjetër e neglizhon prapë një pjesë të komunitetit që është shumicë. Kjo ishte reflektuar shumë keq, sepse serbët e jugut e kishin ndier veten shumë të pasigurt ku “ju nuk jeni serbët e askujt dhe nëse bëhet tregti me ju, nëse ju e pengoni edhe Beogradin, edhe Prishtinën, më së miri kishte qenë të mos ju kemi fare në rrugë”, të gjitha ato veprime më shtyjnë të besoj që asnjëri president nuk mendon për serbët e jugut dhe kjo është shumë negative.

Nga një aspekt tjetër cilido korrigjim, siç po e përdor presidenti Thaçi, nëse ndodh diçka, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për korrigjimin e madh ose të vogël si një pjesë ku ndërrohet një kufi ose territor në Ballkan asnjëherë nuk ka kaluar pa incidente, pa konflikte dhe pa tensione. Prapë vijmë në pozitën që do të kemi pasoja edhe ne si popull, por kjo do të vinte në rrezik edhe sigurinë në Evropë. Gjermania, Franca, Bashkimi Evropian, nuk do të dëshironin të importonin një konflikt të tillë, në veçanti nuk do të dëshironin ta importonin “Sirinë e Re” brenda Evropës. Shokët e mi, bashkëpunëtorë kanë vendosur që të ikin nga Kosova për shkak të tensionit që u krijua nga të dy presidentët, të cilët nuk kanë rezultuar me asnjë element pozitiv.

99% e serbëve të jugut nuk e përkrahin idenë për shkëmbimin e territoreve

Zëri: A mund të ketë trazira nëse ka ndryshim të kufijve?

Rashiq: Duke ditur traditën, eksperiencën në Ballkan, mentalitetin e popujve, fatkeqësisht historia na tregon që asnjë korrigjim i kufijve nuk ka kaluar në heshtje dhe jo vetëm në aspektin e Kosovës, p.sh. Kroacia, Bosnja, Serbia, Sanxhaku, Maqedonia, Mali i Zi të gjitha janë zona të rrezikshme prapë duke u bazuar në mentalitetin ballkanas. Nuk jemi as çekë e as polakë, nuk e kemi mentalitetin për ndarje paqësore. Gjithmonë nisemi prej elementeve siç janë nacionalizmi dhe shumë herë kalohet në radikalizëm. Unë temat si ndarje, korrigjim i kisha shmangur dhe nëse do të kisha kompetenca do ta ndaloja përdorimin e termave të tillë, kjo është negative.

Zëri: Ndryshimi i kufijve a do ta kishte efektin domino edhe në vendet tjera të rajonit, si Maqedonia, Bosnja e të tjerat?

Rashiq: Unë nuk e përkrah idenë e ndarjes dhe të korrigjimit për shkak të popullit, sepse në cilëndo ndarje, në cilindo korrigjim gjithmonë populli ka dalë humbës dhe jo politikanët sepse politikanët në Ballkan për 24 orë e rrisin ndjenjën e patriotizmit, të nacionalizmit, sepse ata manipulojnë me njerëz, me fjalë të cilat janë të thata, patriotike dhe nuk ka ndonjë interpretim konkret dhe korrekt të fushës, nuk ka ndonjë përfitim as për serbët e as për shqiptarët. Në fund të fundit nëse ndahet Mitrovica në lumin Ibër serbët e asaj pjese do të jenë sikur zorra qorre, askush kurrë nuk do të shkonte tek ata. Kjo nuk është përfitim as për serbët e jugut, as për serbët e veriut, nuk shoh asnjë segment pozitiv tek ideja e ndarjes ose e korrigjimit.

Zëri: A do të pajtoheshin serbët të cilët jetojnë në komunat tjera të Kosovës që veriu t’i bashkohet Serbisë?

Rashiq: Tani i kemi dy shtylla të mendimit. Gjashtë kryetarët e Komunave me Shumicë Serbe i kanë dhënë presidentit Vuçiq mbështetje pa kompromis për cilëndo formë të negocimit. Kjo tregon se ata nuk janë përfaqësues të popullit, ata kanë qenë të emëruar sepse nuk mendojnë me kokat e tyre, prandaj edhe kanë qenë njerëz idealë prej anës së Beogradit zyrtar dhe jozyrtar. Siç e dini i kemi dy shtylla që ndikojnë në jetën e serbëve të Kosovës, pra kanë plotësuar kushtin bazik, i cili ka qenë - të mos mendojnë fare dhe vetëm të veprojnë.

Dhe shtylla e dytë është populli, i cili mendon vetëm si të mbijetojë, si të sigurojë financa për familjen. 99% e serbëve të jugut nuk e përkrahin idenë për shkëmbimin e territoreve, por nëse shkojmë në cilëndo pjesë të vendit ata prapa kamerave i tregojnë të gjitha, ndërsa para kamerës nuk flasin. Kjo nuk ka qenë as në kohën e komunizmit. Tani kemi një situatë absurde, sepse Kisha Ortodokse është deklaruar kundër ndarjes, duke u bazuar në efektet negative për serbët e Kosovës dhe njerëzit e pushtetit e detyrojnë shumicën e popullit të mos shkojë as në kishë. Me shumë përgjegjësi mund të them se kjo formë e manipulimit, e shantazheve dhe e radikalizmit të sistemeve nuk ka ekzistuar as në komunizëm, prandaj çka na ka mbetur neve si serbë të Kosovës është të shikojmë si të mbijetojmë në këtë fatkeqësi, këtë keqpërdorim të popullit vetëm edhe për një mandat, sepse faktikisht duke u nisur prej të dy presidentëve qëllimi i tyre është vetëm një mandat, po punojnë në atë filozofi politike. Komuniteti serb është në situatën më të rëndë brenda shekujve të fundit. Nuk e di çka do të ndodhë me serbët e Kosovës.

Zëri: Nëse një marrëveshje e tillë arrihet a mendoni se do të ketë shpërngulje të serbëve nga këto komunat e tjera të Kosovës?

Rashiq: Shpërngulja e serbëve të Kosovës është në proces. Në Komunën e Graçanicës në krahasim me vitin e kaluar ka 10% më pak nxënës sesa ka pasur në vitin 2017. Ky eksod është në proces, nuk është diçka e re, por kulmin e saj e ka arritur me deklarata që tanimë i kanë dhënë të dy presidentët.

Zëri: Presidenti Hashim Thaçi është duke folur për idenë e korrigjimit të kufijve dhe kjo sipas tij nënkupton që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. A është e mundshme një gjë e tillë?

Rashiq: Në politikë thuhet që kurrë mos thoni jam i sigurt, por në këtë rast në këtë aspekt jam i sigurt që një gjë e tillë kurrë nuk do të ndodhë, sepse pavarësisht shitjes së mjegullës në këtë presidenti Thaçi e bën një blof shumë agresiv, ku ai vetë e di që një gjë e tillë nuk mund të ndodhë. Jo për shkak të konceptit etnik të ndarjes, por për shkak të konceptit ekonomik të ndarjes. Në këtë rast korridori i 10-të është shumë me rëndësi për Beogradin dhe ky është korridori i vetëm i cili kalon në Serbi, në Maqedoni dhe në fund në Greqi, prandaj një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.

Asociacioni, pa kompetenca ekzekutive

Zëri: Në takimin e radhës në Bruksel do të diskutohet edhe për statutin e Asociacionit. Në bazë të procesverbaleve të ekipit menaxhues draftstatuti i Asociacionit është përgatitur me kompetenca ekzekutive. A prisni se do të ketë kompetenca të tilla Asociacioni apo do të ndryshohet ky draftstatut?

Rashiq: Në sistemin e Kosovës momentalisht nuk ka as hapësirë e as mënyrë për ndërtimin e një niveli të tretë të pushtetit dhe këtë mund ta kuptoni nëse i merrni të dyja marrëveshjet, atë të vitit 2013 dhe atë të vitit 2016. Të dyja thonë të njëjtën gjë në pikën se marrëveshja duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Nga kjo duhet të kuptojmë që të mos biem në grackat e dy presidentëve që po përdorin të njëjtën gjë, duke e folur ndryshe, të dyja dokumentet tregojnë se çfarëdo marrëveshjeje duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën.

Zëri: A mendoni se një Asociacion me kompetenca ekzekutive do t’i zgjidhte problemet e serbëve në Kosovë dhe a do ta bllokonte funksionimin e shtetit të Kosovës?

Rashiq: Kompetencat ekzekutive nuk kanë se si të formulohen. Qëllim ka qenë krijimi i një mekanizmi mbi komunat serbe që do ta mbikëqyrë saktë punën që po bëhet në ato komuna. Kjo vetëm po shitet si diçka e madhe dhe në fund kjo nuk do të këtë një rëndësi të madhe në cilëndo kompetencë ose mekanizëm të pushtetit, prandaj nuk shoh ndonjë hapësirë për krijimin e nivelit të tretë të pushtetit.

Zëri: A do të duhej që pjesë e dialogut të jenë edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Serbisë?

Rashiq: Nuk do të thosha se është e domosdoshme që pjesë e dialogut të jenë shqiptarët e Serbisë, siç u thoni ju, por është patjetër që serbët e Kosovës, qoftë brenda nivelit teknik dhe atij politik të bisedimeve, duhet të jenë pjesëmarrës, sepse në këtë rast ne i kemi disa negociata sekrete atje, është “Two Man Show”, vetëm ata dy dinë çka po flasin, populli nuk di asgjë konkrete, i dimë tendencat e marrëveshjes së dy presidentëve, por nuk e dimë në cilin nivel do të aprovohet ai dokument, nga kush do të aprovohet, a i kanë 61 vota për këtë aprovim, sepse aq sa e di unë nuk ka mbështetje. Prandaj kjo është njëra prej shumë arsyeve që në fund konsideroj se nuk do të ndodhë ndonjë marrëveshje finale, sepse nga ana e Kosovës presidenti nuk ka mbështetje.

Zëri: Tash e katër vjet Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të shndërrohet në ushtri, por Lista Serbe është duke e kundërshtuar këtë transformim. A prisni se deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës do të ndryshojnë qëndrim për këtë çështje?

Rashiq: Nuk pres që Lista Serbe do t’i ndryshojë qëndrimet dhe kjo nuk do të thotë që deputetët e tjerë që do të vijnë do ta votonin. Unë dyshoj që me planin e dy presidentëve nëse bëhet ndonjë korrigjim, nëse ndryshohet Kushtetuta e Kosovës, që në këtë rast është e nevojshme, po pres që në aspektin negativ ata deputetë serbë mund ta votojnë për të mos cenuar të drejtën e vendeve të garantuara për komunitetin serb në Kuvend. Nga serbët që janë në Kuvend pres më të keqen jo për shqiptarët, por për vetë serbët. Ata nuk do të votojnë diçka me interes vital për Kosovën. Ata dhe kryetarët e komunave serbe janë vetëm instrument, ata janë fontanë dëshirash e presidentit Vuqiq, për këtë nuk pres asgjë konkrete, siç ka ndodhur deri më tani.

Ushtria nuk është prioritet, Kosova de facto është në NATO

Zëri: A mund të bëhet ushtria e Kosovës përmes ndryshimit të ligjeve, pra pa e ndryshuar Kushtetutën?

Rashiq: E kuptoj aspiratën e shqiptarëve për ushtri, por miqësisht konsideroj që kemi shumë më shumë prioritete sesa ushtria. Politikanët duhet të koncentrohen më shumë në sferën e ekonomisë që të kemi zhvillim të shoqërisë, jo të kapen për diçka që nuk u nevojitet dhe kur them që nuk u nevojitet bazohem në aspektin që KFOR-i është këtu. Ju de facto jeni në NATO. Primare është ekonomia, themeli i shoqërisë, zhvillimi social ose shërbimet sociale, niveli i jetës me të cilën ne çdo ditë duhet të merremi dhe vetëm nëse këto përfundohen duhet të vazhdohet ndryshe, në shoqërinë tonë gjithçka shkon mbrapsht, duhet t’u jepet përparësi ligjeve që ndikojnë në jetën e qytetarit dhe jo kështu me improvizime, sepse kështu nuk është politika, politika është afatgjate dhe jo aty për aty.