Sot diskutohet për vizat në LIBE, nesër vendoset
Komiteti LIBE i Parlamentit Evropian sot do të diskutojë për liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërsa nesër do të marrë vendim. Ministrja Dhurata Hoxha është optimiste se Kosova do të marrë lajm pozitiv, përderisa përfaqësuesit e opozitës dhe njohësit e procesit të integrimit janë pesimistë, sidomos për shkak të zhvillimeve të fundit në sistemin e drejtësisë pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Komiteti për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian (PE) sot do të diskutojë për çështjen e vizave të Kosovës, ndërsa nesër anëtarët e këtij komiteti pritet të votojnë për këtë çështje.
Derisa në Parlamentin Evropian pritet të diskutohet për liberalizimin e vizave, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka bërë të ditur se do të udhëtojë për në Bruksel, ku, siç ka thënë ajo, do të zhvillojë takime me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian.
Ministrja Hoxha me këtë rast është shprehur optimiste se nesër Kosova do të marrë lajm pozitiv nga LIBE-ja.
Por, përfaqësuesit e opozitës në vend janë shprehur skeptikë se Kosova do të marrë një lajm të mirë për vizat kryesisht për shkak të zhvillimeve të fundit në sistemin e drejtësisë pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj.
Edhe njohësit e procesit të integrimeve në vend thonë se pikërisht dorëheqja e prokurorit special Elez Blakajt dëshmon qartazi se sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë i dirigjuar nga politika dhe jo i pavarur, gjë që sipas tyre mund ta dëmtojnë edhe procesin e liberalizimit të vizave.
Haxhiu: Presim vendim pozitiv për vizat
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë për “Zërin” që Kosova e ka kryer punën e saj në raport me vizat, me ç’rast, siç ka thënë ai, këtë vit qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë lirshëm.
“Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe deri më tani vonesat që janë bërë në këtë proces kanë qenë padrejtësi ndaj neve. Mendoj dhe besoj shumë që Kosova ka përmbushur qysh moti kërkesat nga BE-ja dhe në raport me vendet e rajonit Kosovës i janë caktuar kritere shtesë që janë përmbushur gjithsesi, prandaj tani presim vendim pozitiv”, ka thënë Haxhiu.
I pyetur nëse zhvillimet e fundit në sektorin e drejtësisë mund të ndikojnë në zvarritjen e procesit të vizave, Haxhiu ka thënë që punën që e kanë bërë institucionet e Kosovës në këtë drejtim nuk mund ta zhvlerësojnë rastet individuale.
“Jam i bindur që Kosova do të marrë këtë vit vendimin për liberalizim të vizave, sepse Kosova ka bërë hapa të mirë në reformën në drejtësi, të cilat BE-ja i ka përcjellë jo në baza individuale, por në përgjithësi, si dhe Kosova ka bërë veprime konkrete. Për këtë arsye besoj që fati i Kosovës nuk duhej të varet tek ata të cilët për interesa personale e braktisin Kosovën”, ka thënë Haxhiu.
LVV: Rasti “Blakaj” e vështirëson çështjen e vizave
Në anën tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci thotë se as këtë vit qytetarët e Kosovës nuk do të lëvizin lirshëm në Evropë, ashtu siç është premtuar dhe po premtohet vazhdimisht nga drejtuesit e institucioneve të vendit.
“Tashmë është e qartë që çështja e liberalizimit të vizave është përdorur si një justifikim për të gjitha veprimet e dëmshme që i ka marrë Qeveria jonë, përderisa rezultate konkrete nuk janë parë. Pikërisht për këtë arsye Lëvizja Vetëvendosje nuk është optimiste se brenda vitit mund të ndodhë liberalizimi i vizave”, ka thënë Nagavci për “Zërin”.
Sipas saj, zhvillimet e fundit në sektorin e drejtësisë e shtyjnë edhe më tutje këtë proces.
“Tashmë e kemi përjetuar disa herë kur është thënë se vizat janë punë e kryer dhe jemi në të njëjtën situatë, madje jemi më keq sesa kemi qenë. Skandali i fundit në sektorin e drejtësisë veçse e vështirëson këtë çështje dhe varësisht se si do të shkojë situata me veprimet e pamenduara të presidentit Thaçi, ashtu edhe do të kemi vështirësi në aspektin e liberalizimit të vizave”, ka thënë ajo.
E pyetur se nëse po bëjnë mjaftueshëm institucionet e Kosovës në këtë drejtim, Nagavci ka thënë që pikërisht këto të fundit po kontribuojnë që ky proces të shtyhet më tutje.
“Jo, institucionet jo vetëm që nuk po punojnë mjaftueshëm, por kanë qenë njëri ndër faktorët kryesorë që e kanë penguar integrimin më të shpejtë të Kosovës në çështjen e liberalizimit të vizave, duke filluar prej kapjes së shtetit e deri te korrupsioni. Ato jo vetëm që nuk kanë vepruar për shmangien dhe eliminimin e korrupsionit, por tashmë po shihet që edhe këto institucione janë edhe vetë të korruptuara”, ka thënë në mes të tjerash ajo.
Kryeziu: Pa drejtësi të pavarur s’ka integrim
Ndërsa njohësi i çështjeve të integrimit, Taulant Kryeziu, thotë se skenari më pozitiv në çështjen e liberalizimit të vizave do të ishte që të ketë vendimmarrje në institucionet e Bashkimit Evropian brenda vitit 2018, ndërsa lëvizja e lirë të bëhej nga mesi i vitit 2019.
“Problemi kryesor në raport me vizat është që nuk ka arritur të merret mandati për të negociuar në Këshill, kjo për shkak të pafuqisë së koalicionit aktual në Kosovë për t’i kryer kriteret e mbetura për shënimin e vijës kufitare dhe për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, që është kriter që Komisioni Evropian do ta monitorojë tërë kohën, por nuk është kriter që mund ta përmbushin institucionet e Kosovës, sidomos kur kohëve të fundit po rikonfirmohet se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i ndikuar nga politika”, ka thënë ai për “Zërin”.
Sipas tij, nëse sistemi i drejtësisë nuk pavarësohet, atëherë do të ketë ngecje të mëdha në integrimin e vendit në BE.
Kryeziu po ashtu ka folur edhe për hapat në vazhdim pas votimit në komitetin LIBE.
“Sa i përket vendimmarrjes politike, duhet të merret mandati për të negociuar në Këshill, pastaj duhet të bëhet një takim joformal mes Këshillit, Parlamentit dhe Komisionit të BE-së, të cilët duhet të bien në ujdi sa i përket një teksti që do të jetë i pranueshëm për Parlamentin dhe Këshillin, pastaj duhet një votim në seancë plenare për këtë çështje dhe një votim nga ana e Këshillit në përbërje të ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë”, ka thënë ai.