22 milionë euro u shpenzuan këtë vit për veteranët e rrejshëm

 

Nga janari e deri në korrik të këtij viti janë shpenzuar mbi 44 milionë euro për pensionet e veteranëve të UÇK-së, ku nga 170 euro në muaj kanë përfituar 37.771 veta. Nëse vërtetohen pretendimet e ish-prokurorit Elez Blakaj se nga ky numër i përfituesve mbi 19 mijë janë veteranë të rrejshëm, atëherë buxheti i shtetit për shtatë muaj është dëmtuar për rreth 22 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Një kohë të gjatë kishte bashkëpunuar me Prokurorinë e Kosovës për t’i identifikuar veteranët e rrejshëm të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).

Pavarësisht dëshmive të shumta që ka dhënë gjendja nuk ka ndryshuar fare, por përkundrazi numri i veteranëve është rritur nga muaji në muaj.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare shihet se nga fillimi i këtij viti për pagesat e pensioneve të veteranëve janë shpenzuar më shumë se 44 milionë euro, derisa numri i veteranëve përfitues ka arritur në 37,771.

Ish-kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, tërë përgjegjësinë për fryrjen e listave ia ka hedhur Komisionit Qeveritar derisa vetëm Prokuroria mund t’i pastrojë ato.

“Që nga fillimi kur janë publikuar listat e para kemi reaguar. E kemi vërejtur se kanë filluar ato fryrjet e listave edhe në vazhdimësi e kemi thënë këtë dhe nuk jemi pajtuar me këto lista. Tash edhe vetë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm po e dëshmojnë se këto lista janë të fryra. Këto lista i ka fryrë Komisioni Qeveritar dhe obligim për t’i pastruar këto lista e ka Prokuroria dhe hetuesit e shtetit”, ka thënë Qeriqi për gazetën “Zëri”. Ai madje tregon se për këtë çështje një kohë ka bashkëpunuar me zyrtarë të Prokurorisë. “Kam bashkëpunuar me zyrtarë të Prokurorisë, me hetues të krimeve ekonomike, i kam sqaruar mënyrën e cila është më e lehtë për t’i hetuar. Kemi pasur një shpresë që do të veprojë Prokuroria, ky rasti i fundit na ka dëshpëruar duke marrë parasysh se është kërcënuar një prokuror i këtij rasti”, ka thënë ai.

Sipas listave zyrtare të Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale, nga janari e deri në korrik të këtij viti janë paguar mbi 44 milionë euro për veteranët e UÇK-së, përderisa numri i atyre që përfitojnë pensione të veteranit ka arritur në 37.771.

Nëse nga ky numër i veteranëve vërtetohen pretendimet e ish-prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj se mbi 19 mijë veteranë në këto lista janë të rrejshëm, atëherë sipas një kalkulimi të thjeshtë del se për shtatë muajt e parë të këtij viti rreth 22 milionë euro janë paguar për veteranë të rrejshëm.

Miftaraj: Listat të pastrohen përmes proceseve gjyqësore

Njohësi i sistemit të drejtësisë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj, duke folur për listat e fryra të veteranëve ka thënë se duhet që këto lista të pastrohen përmes një procesi gjyqësor në fillim kundër anëtarëve të Komisionit, sipas aktakuzës, e pastaj edhe ndaj të gjithë personave përgjegjës që kanë kontribuuar në fryrjen e listave. 

 “Dyshimet për keqpërdorime me lista të veteranëve të luftës dhe rritjes së këtij numri me veteranë të rrejshëm të luftës, përveçqë janë përmbyllur me një aktakuzë të ngritur nga prokurori Blakaj, këto lista janë duke u kontestuar edhe nga vetë protagonistët kryesorë të luftës çlirimtare, ku hyn edhe deklarata e gjeneral Sylejman Selimit, si ish-komandant i përgjithshëm i UÇK-së”, ka thënë ai.

Sipas tij, duhet që prokuroritë themelore t’i hetojnë këto lista.

“Në këtë drejtim, në këtë fazë pa dyshim se ky fenomen do të duhej të pastrohej përmes një procesi gjyqësor në fillim kundër anëtarëve të Komisionit, sipas aktakuzës, e pastaj edhe ndaj të gjithë personave përgjegjës që kanë kontribuuar në fryrjen e listave. Sikurse, ne si IKD besojmë se hetimi ndaj të tjerëve duhet të realizohet nga prokuroritë themelore për territorin që e mbulojnë”, ka thënë Miftaraj për “Zërin”.

Miftaraj ka thënë se duhet të dënohen në bazë të ligjit edhe personat që kanë lejuar të fryhen këto lista.

“Përderisa është e pamundur të hetohen 19000 vetë, të cilët potencialisht kundërligjshëm kanë përfituar statusin e veteranit të luftës, për shtetin dhe për publikun e gjerë me rëndësi është të gjykohen dhe të dënohen në bazë të fakteve dhe ligjit ata që kanë lejuar dhe kanë mundësuar në fryrjen e listave. Përderisa shteti si satisfakcion do të duhej që të gjithë ata që kanë përfituar kundërligjshëm përmes një procesi gjyqësor të kompensojë dëmin e shkaktuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, të gjithë çlirimtarët e vërtetë e meritojnë respektin e të gjithë neve sikurse të gjithë ata të cilët përmes aferave korruptuese kanë arritur që të përfitojnë statusin e veteranit të luftës duhet të largohen nga këto lista dhe të kompensojnë shtetin për dëmin që e kanë shkaktuar.

Po ashtu edhe Imer Mushkolaj, njohës i rrethanave politike në vend, fajin për gjendjen në vend ia ka hedhur Prokurorisë së Shtetit. Sipas tij, është shumë e lehtë për t’i identifikuar mashtruesit të cilët gjenden në listat e veteranëve.

“Është shumë e lehtë për t’u verifikuar, të ngrihet aktakuza që po mbahet në sirtar prej prokurorit Millaku dhe këta njerëz të largohen prej listave. Prokurori Blakaj e ka bërë punën e tij, ajo që ka bërë nuk është asgjë e jashtëzakonshme, është pjesë e punës së tij. Ai për këtë paguhet për të ngritur aktakuza”, ka shtuar tutje Mushkolaj.

Haliti: Listat e veteranëve janë formuar mbi baza politike

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ish-themeluesi i Shtabit Qendror të UÇK-së (më pas Shtabin e Përgjithshëm), duke folur për listat e veteranëve ka thënë për “Zërin” që reagimet për listat e fryra janë të vonshme dhe të dhunshme.

“Kjo çështje ka kaluar në një proces të interesave të zonave të caktuara, por sidoqoftë ligji duhet të merret me këtë çështje nëse ka abuzime. Dëshmitarët më të mirë për këtë çështje janë komandantët e zonave, anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm se kush ka qenë dhe kush nuk ka qenë pjesë e UÇK-së”, ka thënë Haliti.
Ndërsa duke mos e komentuar numrin e saktë të veteranëve Haliti e ka pranuar që ato janë krijuar mbi baza politike, gjë e cila ka dëmtuar këtë proces.

“Unë nuk kam mbajtur ndonjëherë ndonjë evidencë dhe nuk kam pasur në dispozicion ndonjë evidencë të ushtarëve të UÇK-së, por ajo që mund të them është që kam reaguar edhe për procesin e miratimit të ligjit dhe të listave. Listat janë bërë më shumë mbi baza të vendimeve politike ose formula e të qenit veteran është bërë mbi baza të koalicioneve të politikave ditore dhe kjo e ka krijuar një situatë që veteranë të bëhen më shumë sesa duhet”, ka thënë ai.

Sipas tij, institucionet e vendit duhet të merren me këtë rast si dhe individë të cilët kanë krijuar këtë rrëmujë duhet të marrin përgjegjësi para drejtësisë.

BE: Hetimet të vazhdojnë me profesionalizëm

Gjatë ditës së djeshme kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, përmes një konference për medie ka njoftuar që është caktuar prokurori i ri në rastin e veteranëve pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj, por ka hezituar të tregojë identitetin e prokurorit të ri.

“Ne sot kemi pasur një takim me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale dhe me prokurorë të tjerë. Kemi vendosur që ta bëjmë plotësimin e aktakuzës, precizimin e saj dhe ta procedojmë në Gjykatë”, ka thënë Lumezi duke shtuar se “në këtë takim është zgjedhur edhe prokurori që do të trashëgojë këtë lëndë”.

Lumezi me këtë rast ka thënë se “është e vërtetë që prokurori Blakaj i ka emrat e personave që kanë përfituar jashtëligjshëm nga statusi i veteranit”.

“Kërkesa e kryeprokurorit ka qenë që të përfshihen ata emra, në mënyrë që të propozojmë që të ndalen pasojat e dëmshme të shkaktuara nga veprimi i kundërligjshëm. Konkretisht që të ndalet shpërndarja e 3.6 milionë eurove në muaj për këta 19 mijë veteranë”, ka thënë Lumezi.

 Ndërkaq për këtë çështje dje ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, ku përmes një komunikate për medie ka thënë se deklaratat nga ana e politikanëve dhe të prokurorëve në Kosovë për rastin “Blakaj” minojnë parimet kryesore të sundimit të ligjit. Në këtë deklaratë zyrtarë nga Bashkimi Evropian kanë thënë se këta të fundit janë në pritje të respektimit të plotë të ligjit.

“BE-ja është duke ndjekur nga afër çështjen e prokurorit Elez Blakaj. Pavarësia dhe autonomia e gjyqësorit, duke përfshirë Prokurorinë, është e një rëndësie vendimtare dhe në këtë kontekst ajo duhet të sigurohet. BE-ja i fton të gjithë të përmbahen nga sulmet kundër institucioneve të sundimit të ligjit, duke përfshirë çdo koment personal dhe shpifës ndaj prokurorëve ose gjyqtarëve. Deklaratat e disa politikanëve dhe të prokurorëve të Kosovës në këtë drejtim minojnë parimet kryesore të sundimit të ligjit”, thuhet në njoftimin e BE-së. BE-ja po ashtu përsëriti se hetimet në pritje duhet të vazhdojnë me profesionalizëm dhe në respekt të plotë të sundimit të ligjit, pa asnjë ndërhyrje

Në korrik, 36.794 veteranë

Vetëm gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti hiç më pak se 44 milionë e 272 mijë euro para të buxhetit të Kosovës janë shpenzuar për t’i paguar pensionet e 36.794 veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke u bazuar në të dhënat që ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se për çdo muaj ka ndryshuar dukshëm numri i veteranëve që i janë shtuar listës së përfituese prej 170 eurove në muaj nëse nuk janë në marrëdhënie pune.

Duke iu referuar shifrave zyrtare që Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale (MPMS) ia ka ofruar gazetës “Zëri”, në janar numri i përfituesve të pensionit të veteranëve ka qenë 36 mijë e 794, prej tyre 35 mijë e 241 të listuar si veteranë, ndërsa 1 mijë e 553 familje të tyre.

Shuma e shpenzuar nga buxheti shtetëror për pagesat e veteranëve për këtë muaj llogaritet të jetë 6 milionë e 107 mijë euro, derisa 190 mijë e 60 euro janë shpenzuar për familjet e tyre, në total i bie të jenë shpenzuar 6 milionë e 297 mijë e 760 euro.

Numri i përfituesve ka shënuar rritje edhe gjatë muajit shkurt. 36 mijë e 989 është totali i veteranëve dhe i familjeve të tyre që kanë fituar pensione nga shteti. Prej tyre 35 mijë e 395 figurojnë si veteranë, derisa 1 mijë e 594 si familje të veteranëve.

Vetëm për pagesat e këtyre 35 mijë veteranëve gjatë muajit shkurt nga buxheti i shtetit janë harxhuar 6 milionë e 66 mijë e 714 euro, ndërkaq 195 mijë të tjera për t’i paguar familjet e tyre. Në total janë shpenzuar 6 milionë e 261 mijë e 755 euro.

Po ashtu 37 mijë e 44 përfitues pensionesh janë regjistruar gjatë muajit mars. Nga ta 35 mijë e 441 veteranë luftëtarë e 1 mijë e 603 familje.

Për pagesat e veteranëve janë shpenzuar 6 milionë e 43 mijë euro, derisa 191 mijë e 930 tjera për familje.

Shuma e përgjithshme i bie të jetë 6 milionë e 234 mijë e 954 euro. Rritje e njëjtë është shënuar edhe gjatë muajit prill, ku përgjatë kësaj periudhe figurojnë 37 mijë e 395 përfitues të pensionit të veteranëve,  35 mijë e 775 veteranë, 1 mijë e 620 familje.

Nga buxheti për pagesat vetëm të veteranëve janë ndarë 6 milionë e 148 mijë e 508 euro dhe 195 mijë e 620 euro tjera për familje. Vlera e përgjithshme arrin në 6 milionë e 344 mijë e 129 euro.

Pa e gërryer buxhetin e shtetit veteranët e luftës nuk e kanë lënë as në muajin maj, ku vërehet rritje e njëjtë me 37 mijë e 460. Nga ky numër 35 mijë e 826 veteranë dhe 1 mijë e 634 familje për të cilat janë shpenzuar 199 mijë e 87 euro, ndërsa për veteranët plot  6 milionë e 182 mijë e 795 euro. 

Me një përllogaritje në total 6 milionë e 381 mijë e 882 euro. Pa rritje të numrit të veteranëve nuk ka kaluar as qershori. Gjatë këtij muaji janë regjistruar në total 37 mijë e 598 përfitues të pensioneve, nga ta 35 mijë e 943 veteranë dhe 1 mijë e 655 tjerë familje.  

Për 35 mijë e 943 veteranët janë shpenzuar 6 milionë e 152 mijë e 870 euro, derisa për familjet e tyre shuma është ngritur në 200 mijë e 988 euro.

Muaji korrik ka përfunduar me shtim të numrit të veteranëve në listë. Nga 37 mijë e 771 përfitues  36 mijë e 86 veteranë luftëtarë dhe 1 mijë e 685 familje. Në total, janë shpenzuar 6 milionë e 398 mijë e 235 euro. Prej tyre 6 milionë e 189 mijë e 135 për t’i paguar veteranët e 209 mijë e 118 për familje.