Gjermania aplikon inteligjencën artificiale për të luftuar korrupsionin

Gjermania po vendos në punë inteligjencën artificiale për të luftuar korrupsionin. Së fundi prokuroria po shfrytëzon një program informatik të quajtur Watson për identifikimin e aferave korruptive.

"Berliner-zeitung" raporton se makineria antikorrupsion e cila është prodhuar nga IBM monitoron pagesat e zyrtarëve dhe transaksionet financiare duke kërkuar për anomali që më pas bëhen objekt hetimi.

Prokurori Rüdiger Reiff shpjegon se programi mund të përdoret p.sh në rastin e një zyrtari shtetëror për të identifikuar rastet kur ai bën shpenzime më të larta sesa të ardhurat e ligjshme.

Watson është ndërtuar edhe për monitorimin e shpenzimeve private që bëjnë zyrtarët qofshin këto jashtë orarit zyrtar apo fundjavave me prenotime online apo me pagesa elektronike. Makineria është e aftë të identifikojë edhe rastet kur zyrtarët e vendosur nën monitorim veprojnë me pseudonime për të fshehur veprimin.

Aplikimi i kësaj makineri ka ngjallur edhe debatet e para në Gjermani në lidhje me respektimin e të dhënave private nga programi në fjalë, por edhe mundësinë që ndonjë gabim i mundshëm i platformës të ndëshkojë padrejtësisht nëpunësit shtetëror.

Zyra Gjermane për mbrojtjen e të dhënave personale e pyetur nga mediat ka thënë se nuk ka dijeni për programin antikorrupsion.