Hack këshillon dhe përkrah FFK-në

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) të enjten e ka pritur një mysafir special. Kryetari Agim Ademi me bashkëpunëtorë ishin nikoqir të Helmut Hack, zëvendëspresidentin të Bundesligës gjermane dhe Federatës së Futbollit të Gjermanisë (DFB).

Kjo nuk është hera e parë që Hack viziton Kosovën, ku ka miqësi dhe bashkëpunim të ngushtë me FC Prishtinën dhe presidentin e saj, Remzi Ejupi. Vizita e Hack në FFK ishte diçka e mirë edhe për kreun e FFK-së, Ademi, i cili me personalitetin e respektuar gjerman kanë biseduar rreth një bashkëpunimi frytdhënës për futbollin kosovar, raporton "Zëri".

“Gjermania përkatësisht DFB-ja dhe njerëzit aty, gjithmonë kanë qenë të mirëseardhur edhe për faktin se DFB-ja ka qenë një mbështetëse e madhe e jona në të gjitha periudhat, para, gjatë dhe pas pranimit në UEFA dhe FIFA. Ndër njerëzit e parë që me uruan detyrën e re ishin pikërisht nga DFB, si nënkryetari i parë bashkë me bashkëpunëtorë”, ka thënë Ademi.

“Ne kemi krijuar tashmë një bashkëpunim të mirë dhe do të vazhdojmë të thellojmë këtë bashkëpunim në të gjitha fushat e veçmas në ngritjen profesionale të trajnerëve dhe ekipeve. Ne jemi të vetëdijshëm se duhet ta ngrisim nivelin e klubeve të Superligës. Do të ndërtojmë fusha me bari artificial për të gjitha klubet e Superligës, por ka disa klube si Prishtina e Flamurtari  që ende nuk kanë arritur të sigurojnë tokën për ndërtimin e tyre”, tha Ademi.

Ndërsa, Hack i ka siguruar përkrahje FFK-së. “Futbolli në Gjermani është i organizuar në dy nivelet: profesional  dhe amator, ku janë 25 mijë klube. Por ne i japim shumë rëndësi klubeve profesionale sepse kur ato janë në nivelin e lartë atëherë edhe federata është në nivel. Sepse një klub i madh si Bayerni e bën Federatën dhe shtetin e mirë. Prandaj mendoj se një klub siç është Prishtina duhet të ngritët shumë që ka edhe një histori, por që sa e herë e vizitoi, ai po përballet me vështirësi. Ndaj rekomandimi im është që të punoni sa më shumë në ngritjen e klubeve të Superligës”, tha Hack.