Gjykata mohon fajin për neglizhencë në rastin e vrasjes së dyfishtë në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë mohon që të ketë pasur ndonjë neglizhencë sa i përket saj në rastin që ndërlidhet me kërcënimin dhe vrasjen e 40-vjeçares Valeriana Marku-Nrecaj dhe vajzës së saj 9-vjeçare nga ish- bashkëshorti Pjetër Nrecaj.
Zyrtarë të Gjykatës Themelore në Gjakovë pohojnë se gjykata kishte kryer të gjitha obligimet e saj, mirëpo nuk kishte pasur kërkesë nga prokuroria për vazhdimin e paraburgimit të tij dhe pas 30 ditësh qëndrimi në paraburgim i njëjti ishte liruar
Administratori i Gjykatës Themelore Gjakovë, Rudin Elezi i ka thënë gazetës “Zëri” se Pjetër Nrecaj, i cili mbrëmë qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten dhe vajzën e tyre 9-vjeçare ishte kërkuar që të dërgohet në ekzaminim psikiatrik ku edhe i njëjti është dërguar.
Elezi thotë se Gjykata Themelore Gjakovë vazhdimisht ka vepruar sipas kërkesave të Prokurorisë.
“Lidhur më kërkesën e juaj në pikën e parë, ju njoftojmë se Pjetër (Matej) Nrecaj, për veprën penale Lëndim i lehtë truporë, nga neni 188 par.3 lidhur me par 1 të KPRK-së, sipas kërkesës së Prokurorisë, ka qenë në paraburgim nga data 12.05.2018, deri me datë 11.06.2018. Nuk ka pasur kërkesë tjetër për vazhdim të paraburgimit por nga ana e Prokurorisë, është kërkuar që i njëjti të dërgohet në ekzaminim psikiatrik ku edhe i njëjti është dërguar pra Gjykata Themelore Gjakovë, ka vepruar sipas kërkesave të Prokurorisë”, ka thënë Elezi.
Sipas tij, kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit tash pas vrasjes ende nuk është dorëzuar në gjykatë nga ana e prokurorisë.
Me datë 12.06.2018, kundër të pandehurit Pjetër Nrecaj, është dorëzuar Aktakuza në Gjykatë, për veprën penale të lartcekur, andaj në këtë drejtim vlerësojmë se nga ana e Gjykatës nuk ka kurrfarë neglizhence. Sa i përket pyetjes së dytë, nuk është dorëzuar asnjë kërkesë nga Prokuroria Themelore Gjakovë”, ka bërë të ditur Elezi.
Ndryshe, Pjetër Nrecaj kishte shkuar në shtëpinë e ish –bashkëshortes mbrëmë rreth orës 21:00 me një armë të tipit kallashnikov ku kishte qëlluar disa herë në drejtim të ish-bashkëshortes Valeriana Marku-Ndrecaj dhe vajzës 9-vjeçare duke i lënë që të dyja të vdekura në vend.