Referimi dhe VAR-i në Botëror, një epokë e re për futbollin

VAR-i pa dyshim që ka qenë pjesë diskutimi në mbarë botën e futbollit gjatë përdorimit në Kupën e Botës. FIFA e konsideron shfrytëzimin e teknologjisë në “Rusia 2018” si një sukses të madh. Madje dëshiron t’i ndihmojë të gjithë anëtarët e saj për shfrytëzimin e videoasistentit të referit nëpër kompeticionet e tyre, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Pak ditë pas vërshëllimës së fundit të referit argjentinas Nestor Pitana në finalen e Kupës së Botës, FIFA është ndarë shumë e kënaqur me paraqitjen e referëve në “Rusia 2018” dhe mënyrën sesi përdorimi i videoasistentit të referit ka kontribuar në suksesin e referëve në këtë kompeticion.

“Ne e kemi thënë se donim që kjo të jetë Kupa e Botës më e mira ndonjëherë dhe ka qenë Kupa e Botës më e mira në histori. Një rol vendimtar në këtë arritje e kanë luajtur referët, që shkëlqyen me paraqitjet e tyre të nivelit të lartë”, deklaroi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Pas vendimit të madh për të shfrytëzuar VAR-in në këtë Kupë të Botës, FIFA është shumë e lumtur me pranimin e VAR-it nga pjesa dërmuese e lojtarëve, trajnerëve, tifozëve dhe medies. Sekretari gjeneral i FIFA-s Zvonomir Boban, i cili e ka vëzhguar projektin e VAR-it, e theksoi rëndësinë e përdorimit të teknologjisë revolucionare në futboll.

“Siç u tha nga presidenti i FIFA-s, VAR-i nuk është duke e ndërruar futbollin, është duke e pastruar futbollin dhe ky ishte synimi thelbësor kur e filluam projektin e VAR-it së bashku me IFAB-in (Bordi i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit). Përgatitjet e gjata para dhe gjatë turneut, të koordinuara dhe të drejtuara nga kreu i Komitetit të Referëve të FIFA-s Pierluigi Collina dhe drejtorit të Referëve të FIFA-s Massimo Busacca, ka prodhuar rezultate të jashtëzakonshme dhe jam i lumtur që kam qenë pjesë e këtij ekipi”, u shpreh Boban.

Përdorimi i VAR-it shfaqi një temë të madhe gjatë Kupës së Botës, duke sjellë një debat fantastik për futbollin dhe rregullat.

“Është mirë që aty ka pasur një diskutim të gjerë, por vetëm kuptimi i plotë i rregullave të lojës dhe të procedurave të VAR-it mund t’u japë besueshmëri këtyre diskutimeve”, shtoi kroati.

Duke u bazuar në suksesin e referimit dhe përdorimit të VAR-it në Kupën e Botës, FIFA do të vazhdojë të bëjë përpjekje për të zhvilluar standardet e referimit dhe t’u ndihmojë të gjithë anëtarëve të saj dhe ligave për të përdorur VAR-in në kompeticionet e tyre./Zëri