Karateistët mbeten pa medalje në Lojërat Mesdhetare

Karateistët kosovarë janë eliminuar herët në Lojërat Mesdhetare edhe pse nga ta pritej që ta fitonin së paku një medalje, shkruan Zeri.info.

Karateisti më i mirë kosovar, Herolind Nishevci u mposht nga egjiptiani, Ahmad Asfar, në kategorinë +84 kilogramë. Kampi i karateistit kosovar kishte vërejtje në vendimet e gjyqtarëve.

Pa medalje ka mbetur edhe njëri prej karateistëve më të mirë të vendit, Alvin Karaqi. Ai e nisi me fitore këtë eksperiencë pasi e mposhti kroatin Ivan Kvesic me rezultat 4:3 në kategorinë deri 84 kilogramë, edhe pse ishte duke humbur 1:3.

Mirëpo, ai u mund në meçin e dytë nga egjiptiani Ahmed Elmasry. Kurse, Orges Arifi (-60 kg) u mposht në rrethin e parë të karatesë nga maqedonasi, Emil Pavlov, 1:3.

Për dallim nga meshkujt, karateistet femra ishin më afër medaljes. Fortesa Q. Orana (+68 kg), pësoi humbje në repasazh nga kroatja, Ana Marija Celan, në Lojërat Mesdhetare "Tarragona 2018".

Ajo kishte humbur edhe në rundin e parë të garave nga grekja Eleni Chatziliadou.

Ndërkaq, karateistes Adelina Rama (-61 kg) nuk i priu fati, pasi humbi të shtunën 1:0 në luftën për medaljen e bronztë.

Ajo u mposht nga spanjollja, Maria Ferrer.

Adelina e kaloi rrethin e parë pa luftë, kurse në atë të dytë pësoi humbje nga egjiptiania Giana Lotfy. Në luftën për repasazh ajo e mposhti portugezen Ana Simaoi. /Zëri/