Bijtë e shqipes, gjithmonë me Kosovën në zemër (FOTO+VIDEO)

Kosova është me fat që ju ka, shkruan Zeri.info.

Yjet e diasporës po ia zbardhin fytyrën vendit tonë, i cili ka nevojë më shumë se kurrë për afirmim dhe përmirësim të imazhit në botë.

Dhe, këtë po e bëjnë më së miri futbollistët kosovarë që janë rritur në perëndim.

Valon Behrami, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka janë pasqyra më e mirë e vendit tonë.

Ata po e përfaqësojnë për mrekulli Zvicrën në Kampionat Botëror.

Por, jo vetëm shtetin Helvetik, i cili u është mjaft mirënjohës për atë që po e bëjnë.

Në këtë mes hise ka edhe Kosova pasi ata janë bijtë e saj, edhe pse nuk ia harrojnë kurrë shtetit zviceran se çka ka bërë për ta.

Ata janë të lidhur ngushtë me vendin e prindërve të tyre edhe pse janë rritur në Zvicër.

E kishin nënshkruar edhe një peticion në drejtim të FIFA-s për pranimin e futbollit kosovar vite më parë.

Ata e vizitojnë çdo vit Kosovën duke hequr dorë ndoshta nga vendet më luksoze ku mund t’i bënin pushimet pasi zemra iu rrah në Kosovë.

Madje, para disa vitesh, respektivisht në vitin 2013 e kishin pranuar me kënaqësi ftesën e presidentit të FC Prishtinës, Remzi Ejupi për zhvillimin e një ndeshjeje miqësore ndërmjet Yjeve të Diasporës dhe FC Prishtinës, ku kishin dhuruar spektakël në stadiumin e qytetit në Prishtinë.

Ata janë gjithmonë në dispozicion të vendit të tyre. Janë gati të ndihmojnë, në çfarëdo mënyrë.

Xhaka madje është mjaft i lidhur me FC Prishtinën.

Vite më parë ai e ka vizituar klubin Bardhekaltër dhe e kishte veshur fanellën e FC Prishtinës, të cilën ia kishte bërë dhuratë presidenti Ejupi, kurse Xhaka ia kishte dhënë atij një palë këpucë sportive të tij.

E veçanta e këpucëve ishte se në të djathtën, sipër thembrës, ishte në formë të rrumbullakët flamuri i Zvicrës, por në këpucën e majtë në formë të njëjtë ishte flamuri shqiptar dhe ai i Kosovës.

Gjithashtu, familja Xhaka i ka ndihmuar prishtinasit edhe vitin e kaluar, duke ua dhuruar atyre disa topa të futbollit.

Gjithsesi, Kosova është krenare që i ka këta ambasadorë dhe ata janë krenarë që janë të Kosovës dhe që mund ta japin kontributin e tyre për vendin tonë dhe të tyre përmes sportit. /Zëri/