Shqiponjat fluturojnë mbi botë
Futbollistët shqiptarë i dhanë krahë Zvicrës në barazimin 1:1 ndaj Brazilit. Katërshja shqiptare bëri paraqitje mbresëlënëse dhe i ndihmoi helvetikët në duelin me “Seleçao”-n. Ata ndihen të lumtur me barazimin dhe me lojën që e bëri ekipi. Për Behramin, Xhemailin, Shaqirin e Xhakën po flet mirë mbarë bota
Futbollistët shqiptarë po lënë nam në Rusi, shkruan sot gazeta Zëri.
Katërshja e Zvicrës, Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, bëri paraqitje mbresëlënëse dhe e ndihmoi Zvicrën në barazimin e madh që e regjistroi të dielën mbrëma ndaj Brazilit.
Shaqiri asistoi në golin e helvetikëve, kurse Behrami ia nxiu jetën Neymarit. Por punë të mirë bënë edhe Xhemaili e Xhaka.
Paraqitja e futbollistëve shqiptarë u përshëndet në Zvicër, por edhe në mbarë botën.
Mediet e huaja kanë shkruar për paraqitjen e ekipit të Vladimir Petkovicit, duke mos i lënë pa i përmendur shqipet.
Barazimi me Brazilin i jep shpresë Zvicrës që ta kalojë fazën e grupeve.
Dy ndeshjet e radhës të zviceranëve janë ndaj Serbisë dhe ndaj Kosta Rikës, në kuadër të Grupit E të Botërorit.
Behrami: E bëra punën time, i kënaqur me barazimin
Të dielën mbrëma krejt sytë ishin përqendruar te Valon Behrami, i cili ishte një “mace e zezë” për Neymarin.
Futbollisti kosovar e ka ndalur për mrekulli yllin brazilian gjatë 70 minutave sa ishte në lojë dhe për këtë paraqitje mori lëvdata nga e tërë bota.
“Unë jam munduar ta bëj punën time dhe ne e morëm një rezultat të mirë”, ka thënë për “Blick”-un fillimisht Behrami, i cili foli më pas edhe për duelin e fituar me Neymarin.
“Neymar ishte shpesh në tokë dhe ky fakt më bënte të qesh. Neymar provokon gjithmonë. Ai ishte gjithmonë në tokë. Nëse e prek pak duket se e ke lënduar shumë. Mëkat, pasi ai është një lojtar i madh. Është njëri prej kundërshtarëve më të fortë që kam pasur ndonjëherë”, vazhdoi 33-vjeçari.
Shaqiri: Rezultat pozitiv dhe paraqitje e madhe
Xherdan Shaqiri bëri paraqitje pozitive ndaj Brazilit të dielën mbrëma.
Futbollisti kosovar asistoi në barazimin 1:1, ndërsa pati depërtime dhe harkime të kohëpaskohshme.
Ai ndihet i lumtur me atë që nxori Zvicra nga loja me njërin prej ekipeve më të forta në botë momentalisht, por edhe historikisht.
“Rezultat pozitiv dhe paraqitje e madhe e ekipit sonte. Le të vazhdojmë kështu”, ka thënë futbollisti nga Zhegra e Gjilanit.
Xhaka: Krenar për atë që e bëmë
Edhe Granit Xhaka e ka dhënë atomin e fundit për përfaqësuesen e Zvicrës në ballafaqim me Brazilin.
Mesfushori kosovar ndihet i lumtur që ai me shokë i bënë krenarë zviceranët, por edhe shqiptarët, edhe të gjithë tifozët e helvetikëve në ndeshjen e zhvilluar në “Rostov Arena”.
“Thamë se do të luftojmë dhe e bëmë këtë. Start i mirë në Kupën e Botës dhe krenar që e bëmë këtë për gjithë tifozët”, ka thënë mesfushori i Arsenalit, i cili ka luajtur gjatë tërë ndeshjes.
Xhemaili: Rezultat i mirë
Blerim Xhemaili e pati një mundësi ideale në pjesën e parë për ta kaluar Zvicrën në epërsi.
Megjithatë ai nuk ia doli të shënonte, por kontributi i tij në fanellën e kuqe ishte i dukshëm ndaj brazilianëve.
“Rezultat i mirë në ndeshjen e parë”, ka shkruar futbollisti shqiptar nga Maqedonia.
Mediet e huaja lartësojnë Zvicrën e shqiptarëve
Mediet e huaja e kanë lartësuar Zvicrën për paraqitjen që e shfaqi ndaj Brazilit.
Theks të veçantë mediet e ndryshme sportive i kanë dhënë duelit ndërmjet Behramit dhe Neymarit, duke mbetur të mahnitur me paraqitjen e futbollistit kosovar, i cili arriti ta ndalte një futbollist, vlera e të cilit është 222 milionë euro. /Zëri/