Ndizet 'lufta' për INTERPOL-in

Kosova dhe Serbia po zhvillojnë betejë të ashpër pro dhe kundër anëtarësimit të vendit në INTERPOL. Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj është shprehur i sigurt se gjatë këtij viti do të ndodhë anëtarësimi në organizatën më të madhe të policisë ndërkombëtare, derisa ministri i Brendshëm serb Nebojsha Stefanoviq ka deklaruar se shteti i tij do ta bëjë të pamundurën për ta parandaluar këtë nismë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Një vit pasi nuk ia doli të bëhej pjesë e INTERPOLIT-it, organizatës më të madhe të policisë ndërkombëtare, Kosova po synon që këtë vit përfundimisht të bëhet pjesë e saj. Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministër i Kosovës, është shprehur i vendosur se gjatë vitit 2018 Kosova do të bëhet pjesë e INTERPOL-it.

Në një bisedë për “Zërin” ai ka pohuar se Qeveria e ka konfirmimin nga një numër i madh i vendeve që do të përkrahin Kosovën në aplikimin për në INTERPOL.

Në anën tjetër qeveria e Serbisë është mobilizuar për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë ditë më parë se anëtarësimi potencial i Kosovës në INTERPOL do të ishte krejtësisht i papranueshëm për shtetin serb dhe qeveria në Serbi do të bëjë gjithçka që është e mundur për ta ndaluar këtë nismë.

Ndërkohë para një viti (më 2017-n) Kosova e kishte tërhequr aplikacionin për anëtarësim në INTERPOL, nën arsyetimin se nuk ishin votat e mjaftueshme për anëtarësim.

Mirëpo ish-ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, mbetet i bindur se votat ekzistonin atë kohë. Madje, sipas tij, situata për Kosovën sivjet nuk është aq e favorshme sa kishte qenë gjatë vitit të kaluar në këtë drejtim.

Megjithëkëtë, zyrtarët e tanishëm të MPB-së thonë se situata aktualisht është mjaft shpresëdhënëse për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmin më të madh policor në botë. Porse njohësit e çështjeve të sigurisë vlerësojnë se ky synim është tejet i vështirë për t’u arritur brenda këtij viti.    

Hoxhaj: Anëtarësimi në INTERPOL, i pandalshëm

Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministër, njëherësh ish-ministër i Punëve të Jashtme, ka thënë për “Zërin” se anëtarësimi në INTERPOL ka qenë dhe mbetet një prej prioriteteve kryesore sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, së bashku me Këshillin e Evropës. Andaj, ai është shprehur i bindur se përgjatë këtij viti Kosova do të bëhet pjesë e policisë ndërkombëtare. “Që nga fillimi, i gjithë procesi i aplikimit në INTERPOL ka qenë i koordinuar me shtetet mike dhe mbështetëse të Kosovës. Ne tashmë kemi qe një kohë grupin punues, i cili është angazhuar në përgatitjen sa më të mirë të aplikimit tonë në INTERPOL. Nga komunikimi me vendet mike dhe nga misionet diplomatike tonat jemi optimistë që në fund të këtij viti ne do të bëhemi anëtarë të INTERPOL-it. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova të bëhet pjesë e INTERPOL-it, jo vetëm për sigurinë në vendin tonë, por edhe për paqen e stabilitetin në të gjithë Ballkanin”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas Hoxhajt, Kosova tashmë ka marrë konfirmimin nga shumë vende që do ta mbështesin në aplikimin për në INTERPOL. “Përveç shteteve që kanë konfirmuar votën, ne kemi edhe shtetet mbështetëse të cilat janë duke na ndihmuar edhe në komunikim me shtetet tjera. Andaj, jam i bindur që do t’i kemi votat e nevojshme. Qeveria është duke bërë punën e vet në këtë drejtim dhe do t’i bëjmë të gjitha përgatitjet në mënyrë që ta përmbyllim këtë proces”, ka theksuar ish-shefi i diplomacisë kosovare.

Andaj siç Hoxhaj është shprehur, anëtarësimi në mekanizmin policor ndërkombëtar është i pandalshëm. “Të gjitha institucionet e Kosovës janë duke u angazhuar maksimalisht që ne në këtë vit të jemi pjesë e INTERPOL-it. Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL është i pandalshëm”, ka nënvizuar ai.

Hyseni: Vitin e kaluar i kishim votat për anëtarësim në INTERPOL

Mirëpo Kosova kishte aplikuar edhe gjatë vitit të kaluar për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it. Me këtë rast, Kosova kishte hyrë në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të INTERPOL-it që të votohej në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të këtij mekanizmi, që u mbajt më 17 shtator të 2017-s. Por gjersa Palestina dhe Ishujt Solomon u pranuan, Republika e Kosovës e pati tërhequr aplikacionin, nën arsyetimin se nuk ishin votat e mjaftueshme  në atë kohë për t’u bërë pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare.

Por ish-ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka vlerësuar se tërheqja e kërkesës për anëtarësim në INTERPOL gjatë vitit të kaluar ka qenë një gabim strategjik, tejet i madh nga pala kosovare. Madje ai është shprehur i sigurt që votat për anëtarësim në INTERPOL kanë qenë gjatë vitit të kaluar. “Kush e dinte që nuk janë votat e mjaftueshme, si e dinte Qeveria që nuk janë votat në vitin e kaluar dhe si mund ta dijë se janë votat këtë vit? Vitin e kaluar votat kanë qenë të sigurta, sepse votohej në pako. Në pako me Kosovën ishin disa vende të cilat e kishin votën edhe të kundërshtarëve të Kosovës. Kështu që nuk mund të votohej një vend dhe të mos votohej një tjetër”, ka nënvizuar ish-kreu i MPB-së.

Pavarësisht këtyre, ai është shprehur optimist se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë do të ndodhë përgjatë këtij viti. Por kjo, sipas Hysenit, nuk nënkupton që anëtarësimi për Kosovën gjatë këtij viti do të jetë më i lehtë për t’u realizuar.  

Pavarësisht këtyre Behgjet Pacolli, shef i tanishëm i diplomacisë kosovare, është shprehur i vendosur se gjatë këtij viti Kosova do të bëhet pjesë e INTERPOL-it. Një gjë të tillë shefi i diplomacisë kosovare e ka bërë të ditur pas vizitës që kishte para pak ditësh në Austri. “Këtë vit kemi anëtarësimin në Organizatën e INTERPOL-it”, ka deklaruar Pacolli

Xhemajlaj: Anëtarësimi në INTERPOL s’varet vetëm nga ne

Për dallim prej Hysenit, Isa Xhemajlaj, zëvendësministër në MPB, ka vlerësuar se këtë vit është një situatë shumë më e favorshme për anëtarësim në INTERPOL sesa që ishte vitin e kaluar. “Jemi në një situatë bukur të mirë, po besojmë që bashkë me miqtë tanë ndërkombëtarë, që edhe ata kanë ndihmuar në këtë drejtim, ta përmbyllim me sukses. Por gjithçka varet edhe prej shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, por duan ta lejojnë hyrjen në INTERPOL. Domethënë, këtu nuk varet krejt prej neve. Por gjendjen e kemi shumë më të mirë sesa vitin e kaluar”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Por se a do të ndodhë gjatë vitit 2018 anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, sipas Xhemajlajt nuk mund të dihet sigurt 100 për qind. “A do ta përfundojmë vërtet këtë vit, mbetet të shihet sepse varet edhe prej faktorëve të tjerë”, ka theksuar ai.

Ndërkohë teksa ka folur rreth faktit që Kosova kishte tërhequr aplikacionin për anëtarësim gjatë vitit të shkuar, Xhemajlaj ka thënë se ky ka qenë veprimi më i duhur për rrethanat e atëhershme.

Kurse Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, ka konsideruar se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL nuk është aspak i lehtë për t’u realizuar. “MPJ-ja e Kosovës nuk ka punuar në mënyrë aktive në këtë proces dhe gjasat që ky anëtarësim të ndodhë tani do të jenë tejet të vështira”, ka konsideruar ai. Andaj sipas Shalës, do të duhej që institucionet e Kosovës të punonin me intensitet të shtuar, në mënyrë që ta hartonin një strategji për rrugëtimin drejt INTERPOL-it. Nëpërmjet kësaj strategjie sipas tij, do të duhej të lobohej te vendet që janë mike të Kosovës, por edhe te ato të cilat e kanë njohur Kosovën si shtet porse kanë pasur qëndrim kundër anëtarësimit në INTERPOL deri më tani.