Shkëndija mbretëreshë e Maqedonisë, fiton edhe Kupën

Shkëndija është konfirmuar si mbretëreshë e futbollit maqedonas këtë sezon, shkruan zeri.info.

Pasi e fitoi titullin e kampionit, ekipi tetovar ia doli të triumfojë sonte edhe në Kupën e Maqedonisë.

Kuqezinjtë e mposhtën sonte Pelisterin në finale me rezultat bindës, 3:0, për ta fituar trofeun e dytë sezonal.

Visar Musliu ka qenë hero i ekipit të Qatip Osmanit duke realizuar dy gola, në minutën e 20-të dhe atë të 72-të, kurse një tjetër e shtoi Besart Ibraimi. 

Pa dyshim, meritat më të mëdha për këtë revolucion të Shkëndijës i ka kompania “Ecolog” me pronar Lazim Destanin.

Pasi shkëlqeu disa sezone në Europa League, Shkëndija do të luajë sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve, ku po ashtu synon të bëjë paraqitje solide dhe të lë gjurmë. /Zëri/