Këto dy parti nuk do të marrin pjesë në tryezën e LVV-së

Të premten e kësaj jave pritet të mbahet tryeza e tretë që do t’i mbledhë partitë politike, e cila këtë herë është thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, raporton zeri.info.

Megjithatë, jo të gjitha partitë do të marrin pjesë në këtë takim, pasi që tema e vetme  për çka do të diskutohet në tryezën e LVV-së është dakordimi mbi zgjedhjet e parakohshme.

Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë për “Zërin” se ky subjekt nuk do të marrë pjesë në takim, nëse aty diskutohet vetëm për zgjedhje të parakohshme.

“Nëse takimi mbahet edhe për tema të tjera po, por jo vetëm për zgjedhje”, ka thënë ai.

Në të kundërtën, Lekaj ka konsideruar se organizimi i tryezave politike është një veprim në dobi të vendit.

“Në fakt do të duhej të luanin rolin orientues për çështje me interes nacional dhe në këtë frymë japim edhe shembull për të mirë se si duhet të kemi konsensus përbrenda kur është në pyetje shteti. Këto po ndodhin për herë të parë dhe qeveria e kryeministri Haradinaj po ua japin rëndësinë e duhur, sepse siç e dini në të kaluarën ka pasur shumë zhvillime jo të mira për vendin dhe këto gjëra as që mendoheshin nga ish-qeveria”, ka deklaruar Lekaj për “Zërin”

Ndërkaq, duke folur rreth mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme, ai ka vlerësuar se qeveria aktuale është duke funksionuar si është më së miri.

“Ne themi se qeveria po funksionon, është në detyrat e saj, ka dinamikë të plotë, po i përmbushë obligimet që i ka marrë, temat po marrin zgjidhje dhe kur i shohim gjithë këto, mund të konstatojmë se zgjedhjet duhet të mbahen sipas kalendarit ligjor dhe të mos humbim kohë e të mos e vonojmë Kosovën në rrugëtimin e saj euroatlantik, që për teke të dikujt të organizojmë zgjedhje thuajse çdo vit”, është shprehur ai.

Edhe Vesel Makolli, sekretar i përgjithshëm i AKR-së, ka bërë të ditur se ky subjekt nuk do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga LVV.

Kjo pasi sipas tij, LVV ka dalë jashtë asaj që partitë politike janë marrë vesh.

“Në tryezën e dytë janë bërë disa konkluzione që të shqyrtohen ato tema që janë jetike për Kosovën, që të kemi një konsensus të përgjithshëm që t’i shtyjmë ato përpara. Kur është puna te temat jetike duhet të jemi unikë. Andaj, kjo që ata kanë dalë nga ky kontekst tregon që kjo nuk i ka qëllimet e mira, i ka qëllimet partiake. Andaj, kjo është ajo që neve na shtyn të mos marrim pjesë”, ka deklaruar ai.

E ndonëse janë bërë rreth dy muaj prej se koalicioni qeverisës është duke funksionuar me rreth 50 numra në kuvend, Makolli është shprehur i bindur se koalicioni do të vazhdojë së funksionuari.

Kjo, pasi sipas tij, opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar qeverinë aktuale.

“Dihet si rrëzohet qeveria, nëse ata i kanë numrat s’ka nevojë të thirret fare tryezë. Po i pate numrat, rrëzimi nuk është problem. Nuk i kanë numrat se përndryshe dihet”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër, Rasim Alija, hulumtues në organizatën joqeveritare “Demokraci për Zhvillim” (D4D) ka konsideruar se tryezat e partive politike nuk mund të rezultojnë me një dakordim për zgjedhje të parakohshme.

“Caktimi i datës së zgjedhjeve të përkohshme si rezultat i këtyre tryezave duket paradoks. I bie që subjektet politike që janë pjesë e koalicionit qeverisës ta rrëzojnë veten me një marrëveshje paraprake me partitë opozitare. Dihet se si rrëzohen qeveritë dhe shkohet në zgjedhje ose me mocion mosbesimi për qeverinë, që aktualisht duket i pamundshëm për shkak të mungesës së votave nga ana e opozitës”, ka deklaruar ai.

Varianti tjetër sipas Alijës është që njëra prej partive në pushtet t’i bashkëngjitet ndonjë mocioni të ngritur nga opozita, në mënyrë që qeveria të përfundojë e rrëzuar.

“Ndërsa opsioni tjetër mbetet nëse ndonjëri nga partneret e koalicionit qeverisës t’i bashkohet opozitës dhe si pasojë do të mund të kishim zgjedhje të përkohshme. Potencialisht zgjedhje të reja mund të ketë në qershorin e vitit 2019, pasi të përmbyllen një sërë kapitujsh dhe detyrimesh që i ka Kosova, dhe pasi subjektet politike të jenë të bindura për rezultatet që mund të kenë nëse futemi në një proces zgjedhjesh”, ka theksuar ai./Zeri