Gjilani - Drita, më shumë se derbi

Derbi i qytetit të Gjilanit, që do të zhvillohet sot, këtë radhë do të jetë special, Ai do të ketë rëndësi të veçantë për Dritën, e cila me një fitore do ta bënte një hap tjetër drejt titullit të kampionit dhe Evropës. Nga ana tjetër, Gjilanit nuk i intereson fort ky fakt dhe synon t’i japë fund serisë prej një dekade pa fitore si vendës ndaj rivalit lokal. Ndërkohë, një tjetër lojë e rëndësishme është ajo në mes Feronikelit dhe Prishtinës, sidomos për Bardhekaltrit. Kjo xhiro do të sqarojë shumëçka edhe rreth mbijetesës, pas duelit ndërmjet Besës dhe Flamurtarit

Nuk mbahet mend që derbi i qytetit të Gjilanit ta ketë pasur rëndësinë më të madhe sesa ai i sotmi, shkruan sot gazeta Zëri.

Gjilani dhe Drita do të përballen në mes vete në lojën kryesore të xhiros së 30-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Kjo sfidë do të jetë jetike sidomos për “Intelektualët”, pasi ata janë duke prirë në tabelë dhe u nevojitet gjithsesi fitorja për ta bërë një hap tjetër drejt titullit të kampionit.

Prandaj, përpos peshës që e ka kjo lojë për t’u fituar ndaj rivalit lokal, Bardhekaltrit kanë motiv shtesë pasi kjo fitore do t’i afronte edhe me Evropën, pasi siç dihet kampioni i Kosovës edicionin e ardhshëm luan në Ligën e Kampionëve.

Nga ana tjetër, Gjilanit nuk i intereson fort ky fakt dhe nuk e ka ndërmend të ketë mëshirë ndaj rivalit, pasi synon t’i japë fund serisë prej një dekade pa fitore si vendës në derbi dhe t’i gëzojë tifozët e tij.

“Intelektualët” dhe “Skifterat” i kanë bërë të gjitha përgatitjet për të dhuruar spektakël sot në stadium, i cili pritet të jetë i stërmbushur.

Prishtinës i kryen punë veç fitorja

Prishtina nga ana e saj është duke e ndjekur hap pas hapi Dritën, nga e cila e ndajnë vetëm tri pikë.

Bardhekaltrit do të shpresojnë në një “kiks” eventual të ekipit gjilanas dhe me një fitore ndaj Feronikelit në Drenas, ta shkrijë disavantazhin dhe të fokusohet më pas te përballja direkte me Dritën, ku mund të përcaktohet edhe kampioni.

“Nikli” ka ditur të jetë “arrë e fortë” për kundërshtarët dhe prishtinasit e dinë se nuk do të kenë punë aspak të lehtë.

Liria pret kampionin

Liria do ta presë kampionin aktual Trepça ’89, ndaj të cilit synon fitore për ta “gozhduar” pozitën e tretë në tabelë.

“Xehetarëve” nuk u eci mirë ky sezon dhe në këtë ndeshje do të hyjnë pa presion, duke u munduar ta kthehen në Mitrovicë me ndonjë pikë të fituar.

Kurse Llapi tashmë i dorëzuar për titull do të luajë me Drenicën, e cila thuajse e ka siguruar mbetjen në ligë pa barazh. /Zëri/

Superliga – Java e 30-të

E mërkurë

Liria – Trepça ’89

Gjilani – Drita

Feronikeli – Prishtina

Llapi – Drenica

E enjte

Besa – Flamurtari

Vllaznia – Vëllaznimi

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 16:00