Tifozët e Arsenalit, fantastik
Jack Wilshere ka lavdëruar tifozët e Arsenalit pas mbështetjes së tyre të madhe në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Evropës ndaj Atletico Madridit, transmeton zeri.info
Klubi anglez dhe ai spanjoll barazuan 1:1 në “Emirates” të enjten, por Wilshere mendon se ekipi i tij do t’i shkaktojë probleme klubit spanjoll javën tjetër.
“Tifozët ishin fantastik. Mendoj se edhe ata u ndjenë ashtu siç ndihemi ne për trajnerin, ne duam t’i japim atij lamtumirën që e meriton dhe mendoj se ata na ndihmuan shumë në këtë gjë, sidomos në pjesën e parë”, deklaroi Wilshere.
“Kur dolën në fillim të ndeshjes, mund ta ndjenim energjinë dhe dashurinë e tifozëve dhe kjo na dha një shtytje”, shtoi reprezentuesi anglez, i cili foli edhe për rrjedhën e lojës.
“Ata janë një skuadër që duan të rrinë prapa, ne jemi një ekip që duam të sulmojnë dhe të hapim lojën. Ne e dinim se do të ishte e vështirë. E mira është se është e qartë ajo që duhet të bëjmë. Ne e dimë në mendjet tona që duhet të shkojmë atje dhe të shënojmë”, u shpreh ai./Zëri