Shaqiri: Besojmë se do t’i shpëtojmë rënies nga Premierliga

Xherdan Shaqiri ka insistuar se Stoke City ende beson se mund ta shmangë rënien nga liga elitare angleze edhe pse vazhdimisht ndodhet në zonën e rënies nga Premierliga.

Stoke do të jetë nikoqir i Burnley dhe Crystal Palace, derisa do të luajë në udhëtim kundër Liverpoolit dhe rivalit për mbijetesë, Swaneas, në ndeshjet e mbetura në ligë, me anësorin shqiptar të Kombëtares së Zvicrës, Xherdan Shaqirin, i cili beson se nëntë pikë do të mjaftojnë për ta ruajtur statusin e ekipit elitar, transmeton Gazeta Express.

“I kemi edhe katër ndeshje dhe besimi nuk na mungon”, ka thënë Shaqiri për Sky Spors pas barazimit 1-1 kundër West Hamit të hënën.

“Duhet t’i fitojmë tri ndeshje. Dy ndeshje i kemi në shtëpi e dy në udhëtim. Nëse i fitojmë dy në shtëpi dhe një në udhëtim, mbase do të mbijetojmë në Premierligë. Besojmë deri në fund”, shtoi Shaqa.

Shaqiri e ka nënvizuar rezultatin ndaj West Hamit si një përmbledhje të përshtatshme të sezonit të tërë të Stoke.

“Kjo është hera e parë për mua [në luftë për mbijetesë], por kemi lojtarë të mëdhenj të cilët duhet të luajnë mirë në këto ndeshje. Duhet të luajmë më mirë”, theksoi ai.

Me katër ndeshje të mbetura, Stoke është e parafundit në tabelë me 28 pikë, aq sa ka edhe Southampton në vendin e 18 dhe Swansea në vendin e 17-të.