Mungesa e parkingjeve ngufat kryeqytetin

Në mungesë të parkingjeve në kryeqytet vetura të shumta po zënë trotuaret, vendin që është i destinuar për kalim të qytetarëve. Ky problem po shpresohet të zgjidhet së shpejti me rregulloren për parkingje, si dhe me miratimin e ligjit për kryeqytetin, shkruan sot Gazeta "zëri".

 

Mungesa e parkingjeve në kryeqytet është një problem me të cilën po përballen më së shumti qytetarët, pasi në mungesë të tyre veturat po parkohen në trotuare, vend i cili është i ndarë për këmbësorë.

B. Beqiri, qytetare e komunës së Prishtinës, për “Zërin” ka rrëfyer se mungesa e parkingut në lagjen e saj shkakton vështirësi si për banorët, ashtu edhe për nxënësit që vijojnë mësimin në shkollën “Elena Gjika”. “Unë kam shumë vështirësi të ec rrugëve e sidomos në lagjen time afër shkollës ‘Elena Gjika’, ku vazhdimisht ka të parkuara vetura në trotuare dhe ecja duhet të bëhet në rrugë. Është shumë e vështirë edhe për nxënësit të cilët mësojnë në këtë shkollë”, ka rrëfyer ajo.

Në lidhje me këtë gjë zyrtarë nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se ata vazhdimisht zhvendosin automjetet e parkuara në mënyrë të parregullt, pasi që kjo gjë e pengon zhvillimin normal të qarkullimit të automjeteve dhe të këmbësorëve. Në anën tjetër, zyrtarë nga Komuna e Prishtinës kanë bërë të ditur se tanimë vetëm se kanë filluar me projekte për ndërtimin e parkingjeve në kryeqytet. Po ashtu këtë problem e kanë komentuar edhe zyrtarë nga Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor. Sipas tyre, në Prishtinë nuk ka investim të mjaftueshëm në infrastrukturë, gjë e cila duhet të jetë prioritet për një komunë. Sipas ekspertëve të sigurisë, mungesa e parkingjeve publike ka bërë që të shtohen ato private, gjë e cila shkon në dëm të buxhetit të qytetarëve.

Komuna: Shpejt do të formohet rregullorja për parkingje

Zyrtarë nga Komuna e Prishtinës për “Zërin” kanë bërë të ditur se kjo komunë ka në plan disa projekte për ndërtimin e parkingjeve.

Halil Halil, zyrtar në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, ka deklaruar se Komuna e Prishtinës është duke e realizuar një projekt me BERZH-in në lidhje me çështjen e parkingjeve. “Tani kemi edhe një projekt në mes BERZH-it dhe Komunës dhe pritet që shumë shpejt të formohet edhe rregullorja për parkingje”, ka thënë Halili. Po ashtu ai ka bërë të ditur se ndërtimi i parkingjeve do të bëhet në disa pjesë të qytetit, duke shtuar kështu që për momentin nuk kanë ndonjë bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. “Jo, ne nuk kemi ndonjë bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Njëherë është kryer vetëm në zonën ‘qendër’, tani pritet të vazhdojë edhe në qendra të tjera, si në ‘Breg të Diellit’, ‘Dardani’ dhe në pjesë të tjera”, ka shtuar ai.

 Policia: Parkimi në vende të gabuara, vepër kundërligjore

Nazmi Zogaj, nga Policia e Kosovës, për “Zërin” ka deklaruar se parkimi i veturës në vendin ku u rrezikohet jeta pjesëmarrësve të tjerë në trafik është vepër kundërligjore.

“Drejtuesit nuk i lejohet ta ndalë dhe ta parkojë mjetin në vendin ku do ta rrezikonte sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik ose do ta pengonte zhvillimin normal të qarkullimit të mjeteve dhe të këmbësorëve”, ka thënë Zogaj. Ai po ashtu ka treguar edhe për dënimet që marrin personat të cilët e kryejnë këtë vepër. “Gjoba për këtë kundërvajtje është 30 euro”, ka shtuar ai.

Hoti: Komuna duhet ta ketë prioritet zhvillimin infrastrukturor

Anëtari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Andin Hoti, për gazetën “Zëri” ka deklaruar se zhvillimi i infrastrukturës në kuadër të së cilës hyn edhe ndërtimi i parkingjeve duhet të jetë njëri ndër prioritet kryesore të Komunës. “Mendoj që kryetari i Komunës duhet ta konsiderojë si prioritet infrastrukturën në Prishtinë, sepse nuk e di që është investuar viteve të fundit në infrastrukturë, gjendja e rrugëve dhe mungesa e madhe e parkingjeve në Prishtinë është tepër e rëndë dhe me bën të mendoj që nuk ka fare investim në këtë fushë”, ka thënë Hoti. Ai ka thënë se kjo gjendje do të përmirësohet pasi të votohet ligji për kryeqytetin e i cili për momentin ende gjendet në Kuvend për shqyrtim. “Këtij problemi besoj që do t’i vijë në ndihmë edhe ligji për kryeqytetin, i cili është në shqyrtim në Kuvendin e Kosovës”, ka shtuar ai. Si zgjidhje për këtë problem Hoti sheh edhe marrjen e shembujve nga vendet  e tjera si ato të Bashkimit Evropian. “Në qytete të tilla si Prishtina, që ka mungesë hapësire, mund të merren lehtë shembuj nga vendet e BE-së dhe të krijohen parkingje nëntokësore ose shumëkatëshe në hapësirat publike që posedon Komuna”, ka përfunduar Hoti.

 Shala: Mungesa e parkingjeve, pamundësim i lëvizjes së sigurt të qytetarëve

Sipas ekspertit të sigurisë Drizan Shala, mungesa e parkingjeve në kryeqytet dhe parkimi i veturave në trotuare pamundëson lëvizjen e lirë dhe të sigurt të tyre. “Veturat parkohen në trotuar dhe kështu u pamundësohet lëvizja e lirë dhe e sigurt qytetarëve”, ka thënë ai. Problem Shala sheh edhe krijimin e një numri të madh të parkingjeve private, nga të cilat qytetarët nuk kanë asnjë përfitim. “Arkitektura në qytetin e Prishtinës në mungesë të parkingjeve publike ka çuar në rritjen e parkingjeve private, ku qytetari në këtë formë nuk përfiton asgjë nga të hyrat e parkingjeve private”, ka përfunduar Shala.