Daçiq: Perëndimi po na gënjen, ata presin që ta njohim Kosovën

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq po duket i dëshpëruar me shtetet e fuqishme perëndimore. Kjo pasi këto të fundit po presin nga Serbia që ta njeh Kosovën.

Të paktën kështu ka thënë vetë ministri serb në një intervistë për gazetën serbe Novosti, në numrin e sotëm.

Madje këtë “shqetësim”, Daçiq e ka ndarë edhe me të parin e shtetit serb, Aleksandar Vuçiqin.

“I kam thënë vazhdimisht Vuçiqit se perëndimit po na gënjen. Në gjithë këto vite njohja e pavarësisë së Kosovës është i vetmi interesim për ta”, tha ministri i jashtëm serb, transmeton lajmi.net

Edhe Daçiq po e mbështetë Vuçiqin që ditë më parë tha se “Kosova është e përkdhelura e ndërkombëtarëve”.

Këtë e arsyetoi me durimin që e patën shtetet evropiane sa i përket çështjes së Asociacionit.

“Asociacioni nuk u formua qe pesë vjet. Për pesë vjet është mbyllur edhe Lufta e Dytë Botërore, por perëndimi nuk ishte në gjendje që ta detyrojë Kosovën ta formojë bashkësinë e komunave me shumicë serbe”, tha Daçiq.

Gjithë këtë situatë ministri serb e quajti hipokrizi.

“Unë mendoj se kjo është një hipokrizi e nivelit të lartë, dhe vendi ynë nuk mund ta pranojë këtë poshtërim. Një zgjidhje mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të vijë me një kompromis, jo duke imponuar njohjen e Kosovës”, përfundoi Ivica Daçiq.

Edhe Vuçiq ditë më parë e pranoi se për perëndimin Kosova është çështje e mbyllur. Ai deklaroi se perëndimi po punon në favor të Kosovës.

“Ne nuk negociojmë vetëm me shqiptarët, por edhe me ata të cilët kanë krijuar një Kosovë të pavarur”, kishte thënë Vuçiq.

Ndryshe sot do të vazhdojë dialogu ndërmjet presidentit të Kosovës dhe Serbisë.