Haradinaj heq dorë nga raporti i Bulliqit
Pas arritjes së marrëveshjes së koalicionit për Demarkacionin me Malin e Zi, në një konferencë urgjente për media, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ai vazhdon të mos pajtohet me kërkesën e LDK-së por për shkak të daljes nga kjo situatë ka pranuar një kusht të tillë, raporton "Zëri.info".
Ai ka pranuar se ka hequr dorë nga kërkesa e tij që raporti i komisionit shtetërorë për përcaktimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi të jetë vetëm pikë informative.
Haradinaj ka sqaruar pikën 1.2 e cila i është shtu dokumentit e që është fjala ‘si orientim’.
“E kam bërë një dakordim me kërkesë të LDK-së, besoj se me këtë u kemi hapur mundësi qytetarëve të lëvizin. Në nenin 3, pika 1.2 ku thotë se dokumentacioni do të përdoret si orientim, pra vetëm kjo është shtuar e që ka qenë kërkesë e LDK’së në mënyrë që të ecim përpara. Mendoj se ka qenë e panevojshme të ndryshohet kjo pikë, por kam mbështetur kërkesën e LDK’së. Kemi një ndryshim substancial, kemi dakordim me LDK dhe pas kësaj besoj se janë krijuar mundësitë për ratifikimin e marrëveshjes’, tha Haradinaj.
Ai po ashtu ka theksuar se ende nuk kanë ndonjë dakordim me listën serbe.
“Ende s’kemi dakordim me Listën Serbe”, theksoi Haradinaj. /Zëri/