KUALIFIKIMET E BOTËRORIT: Kosova, gati për befasi në dy ndeshjet e shkurtit

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll e ka marrë rrugën drejt Polonisë, ku është grumbulluar të hënën në prag të sfidave të reja që e presin këtë muaj, shkruan sot gazeta Zëri.

Verdhekaltrit kanë përfunduar të hënën pasdite në qytetin Torun, ku do të qëndrojnë deri më 22 shkurt, ndërsa më pas do të zhvendosen për në Wloclawek.

Përfaqësuesja është mjaft e motivuar para ndeshjeve me Poloninë dhe Lituaninë, të cilët konsiderohen si favoritët e grupit të Kosovës.

Dardan Berisha me shokë premtojnë se do ta japin maksimumin në këto ndeshje, të cilat i konsiderojnë si mjaft të rëndësishme, ndërkohë që zotohen se do të mundohen t’i befasojnë kundërshtarët, të cilët fatmirësisht nuk do të mundin të llogarisin në basketbollistët kryesorë, të cilët luajnë në NBA dhe në kompeticionet më të rëndësishme evropiane të basketbollit.

Ndërkohë, Përfaqësuesja e Kosovës është e kompletuar, përpos Drilon Hajrizit, i cili ishte suspenduar qysh në fazën paraeliminatore.

Të premten ndaj Polonisë

Përfaqësuesja e Kosovës do të zhvendoset të enjten në qytetin Wloclawek, ku do ta zhvillojë ndeshjen me Përfaqësuesen e Polonisë, e cila në këtë rast luan si vendëse.

Kosova luan me polakët më 23 shkurt në ndeshjen që do të zhvillohet në orën 19:00.

Për Dardan Berishën kjo do të jetë një ndeshje speciale pasi siç dihet basketbollisti më i mirë kosovar para se t’i thoshte “Po” Kosovës kishte luajtur për Poloninë.

Më 26 shkurt me Lituaninë

Menjëherë pas duelit me polakët ekipi i Brad Greenbergut do të udhëtojë për në Lituani, ku më 26 shkurt në Klaipeda do të jetë mysafir i Përfaqësueses së Lituanisë, takim ky që do të luhet me fillim në orën 19:30.

Të dyja këto ndeshje i takojnë Dritares së Dytë të Grupit C të kualifikimeve evropiane të kupës së botës “Kina 2019”, ku Kosova është në grup me Lituaninë, me Hungarinë dhe me Poloninë.

Duhet theksuar se në dy ndeshjet e Dritares së Parë të kualifikimeve evropiane për kupën e botës “Kina 2019”, Kosova ka pësuar disfata, së pari në shtëpi në përballje me Lituaninë dhe më pas si mysafire në ballafaqim me Hungarinë.

Në ndeshjen e Dritares së Parë Përfaqësueses së Kosovës i ka munguar Erjon Kastrati, i cili ishte lënduar një ditë para duelit me Lituaninë gjatë një ndeshjeje më skuadrën e tij sllovene, Petrol Olimpija.

Kastrati tani është i gatshëm t’i bashkohet Kosovës, ngjashëm si amerikani Shawn Jones. Kosova është gati për befasi. Ajo synon ta fitojë së paku një ndeshje në këto eliminatore të vështira. /Zëri/