E rrallë: Ndeshja ndërpritet për shkak të kartonëve të kuq

Diçka mjaft e rrallë ka ndodhur në derbin brazilian mes Vitorias dhe Brahias, transmeton zeri.info

Ndeshja mes dy klubeve braziliane është ndërprerë për shkak të nëntë kartonëve të kuq.

Madje, shtatë futbollistë ishin ndëshkuar me karton të verdhë para incidentit kryesor të ndeshjes, pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë.

Vendasit ishin duke fituar 1:0 deri në minutën e 50-të, kur gjyqtari i ndeshjes akordoi një penalti për Bahian.

Vinicius konvertoi penaltinë në gol dhe pastaj shkoi të festonte golin duke kërcyer tek tifozët e Vitorias, duke provokuar kështu tifozët vendas.

Por, kjo gjë nuk iu pëlqeu as lojtarëve të Vitorias.

Portieri Fernando Miguel ishte i pari që shkoi të konfrontohej me golashënuesin, por ishte mbrojtësi Kanu, që i çoi gjërat në një nivel tjetër, duke i lëshuar disa shqelma.

Kjo çoi në një incident më të madh duke sjellë përjashtimin e shtatë lojtarëve.

Ndeshja vazhdoi deri në minutën e 81-të, kur u përjashtuan edhe dy lojtarë të Vitorias, gjë e cila solli përfundimin e ndeshjes.

Ndeshja pritet të hetohet për të sjellë dënimet ndaj ekipeve, ndërsa fitorja zyrtare prej 3:0 i ka takuar Bahias./Zëri