Shefi i diplomacisë gjermane sjell në Kosovë porosinë për Gjykatën Speciale dhe demarkacionin
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova duhet të përgatitet edhe për “çështje jo të këndshme”, siç janë Dhomat e Specializuara, të cilat do të trajtojnë krimet e mundshme të luftës.
Ai ka porositur gjithashtu që çështja e demarkacionit me Malin e Zi të kalohet, si kriter që është vënë nga BE-ja për liberalizimin e vizave.
“Ne angazhohemi që Kosova të përgatitet për çështjet jo të këndshme, siç janë Dhomat e Specializuara, të cilat do të trajtojnë krimet e mundshme të luftës”.
“Jam i lumtur që ka vullnet të zgjidhet edhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi është mirë që ky kriter të plotësohet dhe të zgjidhet çështja e vizave”, deklaroi shefi i diplomacisë gjermane, raporton EO.
Në fillim të konferencë me gazetarë, Gabriel ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së vendit.
“Gjermania bën pjesë në vendet e para që e kanë njohur Kosovën dhe është krenare me të arriturat e deritanishme.
Gjermania dëshiron që edhe në të ardhmen të mbetet një partner i qëndrueshëm në Kosovë. Shpresojmë që Kosova të ketë stabilitet politik dhe ekonomik”, theksoi ministri i jashtëm i Gjermanisë.
Në vazhdim, Gabriel ka numëruar si sfida për Kosovën forcimin e zbatimit të ligjit, reforma në drejtësi.
Ai ka përmendur dhe vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, si rast që duhet të zgjidhet.