Dialogu me kushte

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, ka kërkuar që vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të kushtëzohet me themelimin e Komunave me Shumicë Serbe, shkruan sot Gazeta "Zëri".  

Pavarësisht se Jevtiq është pjesë e qeverisë “Haradinaj” nga kabineti i këtij të fundit thonë se dialogu mes dy vendeve pritet të vazhdojë shumë shpejt, por pa e precizuar se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.

Në anën tjetër, përfaqësues të opozitës insistojnë se dialogu me Serbinë duhet të marrë një epilog, pasi deri më tani kjo e fundit ka përfituar nga dialogu.

LEXO EDHE: Shpresat për demarkacion tek vizita e Markoviqit

Donjeta Gashi, drejtoreshë e Zyrës për Informim në Qeveri, ka thënë përZërin që energjia, liria e lëvizjes dhe bashkëpunimi rajonal janë vetëm disa nga temat që pritet të diskutohen me Serbinë në fazën e ardhshme të dialogut.

“Bisedimet në Bruksel pritet të vazhdojnë së shpejti. Energjia, liria e lëvizjes, bashkëpunimi rajonal janë disa nga temat për të cilat do të diskutohet në këtë fazë të takimeve. Delegacioni i Kosovës ka shprehur përkushtimin për një dialog në funksion të të gjithë qytetarëve të Kosovës, të të gjithë atyre që janë të kyçur në këtë proces dhe në transparencë të plotë”, ka thënë Gashi.

Jevtiq: Themelimi i Asociacionit, çelës për vazhdimin e dialogut

Ndërsa ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, gjatë një takimi me zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, ka thënë se vazhdimi i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës është i një rëndësie të madhe dhe formimi i Komunave me Shumicë Serbe është hap i domosdoshëm për rifillimin e dialogut.

Temë diskutimi në këtë takim ka qenë edhe pozita e serbëve në Kosovë, me ç’rast Jevtiq ka thënë se vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviq duhet të zgjidhet sa më shpejt.

“Ka shumë sfida që na presin këtë vit. Ne duhet zgjidhur disa nga problemet në mënyrë që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të ecë përpara dhe të bëhet pjesë e BE-së. Mbështetja e SHBA-së për arritjen e paqes dhe të stabilitetit të qëndrueshëm në Kosovë ka rëndësi të madhe. Ndërsa vrasja e Oliver Ivanoviqit kërkon një përgjigje në pyetjen, kush dhe pse e bëri këtë krim?”, është shprehur Jevtiq.

Pacolli: Kosova ka humbur shumë nga dialogu

Fitore Pacolli, deputete nga lëvizja “Vetëvendosje”, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se pikërisht dialogu me Serbinë ka lënë “nën hije” të gjitha çështjet e tjera me rëndësi për vendin.

Sipas saj, ky dialog për Kosovën nuk ka sjellë asgjë, përderisa Serbisë po i hap rrugën drejt integrimit në BE.

“Viteve të fundit fokusi kryesor ka qenë dialogu me Serbinë, duke lënë anash të gjitha çështjet më të rëndësishme për vendin. Dialogu i deritashëm me Serbinë ishte dialog i mbyllur, pa transparencë e pa llogaridhënie. Në këtë dialog Kosova ka investuar shumë, por edhe ka humbur shumë. Përmes dialogut ia ka hapur rrugën për integrim Serbisë siç edhe tani po shihet edhe nga Strategjia e re e BE-së për Zgjerim për Ballkanin Perëndimor, ku Serbisë i është përmendur viti 2025 si vit kur mund të anëtarësohet”, ka thënë Pacolli.

Pacolli konsideron se Kosova ka lënë anash çështje të tjera me rëndësi, duke u përkushtuar kështu vetëm në dialog.

“Duke i kushtuar vëmendje vetëm dialogut mes Kosovës dhe Serbisë kanë lënë anash prioritetet më të rëndësishme si konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, ushtrimin e pushtetit në tërë territorin, si dhe zhvillimin ekonomik e social”, ka thënë Pacolli.

Gaxherri: Dialogu duhet të përfundojë sa më parë

Besa Gaxherri, deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë afat të qartë se kur do të përfundojë sepse një proces i tillë nuk mund të zgjasë në pafundësi.

“Dialogu duhet të rifillojë sa më parë dhe duhet të përfundojë sa më parë. Duhet ta ketë një cak dhe duhet të dihet saktë koha dhe afati i fillimit. Kuvendi duhet të vendosë kohën, kufijtë dhe çfarë temash duhet të bisedohen sepse nuk mund të shkojë në pa kufi ky dialog”, ka thënë Gaxherri.

Ajo më tej ka thënë që Serbia është duke bërë çdo gjë që ta dëmtojë Kosovën, prandaj duhet që t’i jepet sa më parë një epilog këtij dialogu.

“Duke pasur parasysh reagimet e Serbisë dhe ndërhyrjet që ajo i bën në Kosovë përmes lobimit të saj në të gjitha shtetet e botës për ta dëmtuar Kosovën, ne nuk mundemi të funksionojmë kështu me Serbinë. Me të duhet të definohen gjërat dhe të përfundojë ky dialog”, ka thënë ajo.

Sipas Gaxherrit, Serbisë duhet t’i bëhet e qartë se dialogu nuk mund të vazhdojë përgjithmonë.

Mushkolaj: Edhe Kosova të vendosë kushte për vazhdimin e dialogut

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë për “Zërin” se është koha që ky dialog të përmbyllet me një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pjesa teknike e dialogut do të duhej të zhvillohej sipas një agjende të qartë dhe në afat të përcaktuar kohor. Është koha që këto çështje të cilat kanë mbetur pa u zgjidhur të zgjidhen sipas një agjende të caktuar dhe të mos ketë më zvarritje për të kaluar tashmë në aktin final të dialogut, pra të arritjes së një marrëveshjeje mes dy shteteve”, ka thënë Mushkolaj.

Duke e komentuar deklaratën e Dalibor Jevtiqit, i cili ka thënë që formimi i Komunave me Shumicë Serbe është hap i domosdoshëm për rifillimin e dialogut, Mushkolaj ka thënë se nëse Serbia cakton kushte të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Kosova.

“Nëse Serbia vendos kushte, edhe Kosova duhet të veprojë njësoj për shkak se ka mjaft marrëveshje të cilat nuk janë zbatuar nga Serbia e që Kosova mund t’i përdorë si kushtëzime. Nuk besoj se kanë sukses kushtëzimet e tilla sepse me kushtëzime do të duhej të veprohej që nga fillimi dhe ndoshta edhe situata do të ishte më e mirë për Kosovën”, ka thënë Mushkolaj.

Mushkolaj më tej ka shtuar që nëse Serbia kushtëzon Kosovën me Asociacionin e Komunave Serbe, atëherë edhe Kosova ka mundësi ta kushtëzojë këtë dialog me marrëveshjet e tjera që nuk janë zbatuar nga ana e Serbisë.