Cili është qëllimi i fshehur prapa vrasjes së Ivanoviqit?
Vrasja e politikanit serb Ivanoviq në pjesën veriore të Mitrovicës jo vetëm që do të ndikojë në përkeqësimin e situatës së sigurisë në pjesën veriore të vendit të populluar kryesisht me komunitetin serb, por implikimet e kësaj situate do të shtrihen në tërë territorin e Kosovës.
Duke mos hyrë në një analizë më të gjerë në lidhje me këtë, dua të theksoj se kjo vrasje në fakt mund të trajtohet edhe si rrezikshmëria më e madhe e fillimit të ndarjes konkrete të pjesës veriore të vendit tonë.
S’do mend se një ndarje e tillë ka ekzistuar që nga mbarimi i luftës e deri në ditët e sotme. Kuptohet se një qasje e kufizuar e Qeverisë së Kosovës në atë pjesë, më shumë a më pak, ka ekzistuar. Ndonjë shtirje faktike e pushtetit atje nuk ishte e mundur. Kjo aq më parë që implikimi destruktiv i Beogradit zyrtar ishte dhe mbeti në një vazhdimësi.
Në rastin e vrasjes së Ivanoviqit kujtoj se është bërë një plan mirë i përgatitur vetëm e vetëm që ndarja me forca dhe mjete konkrete të ndodhë e që ishte dhe mbeti synimi kryesor i qeverisë serbe, por edhe për shkak të neglizhencës së establishmentit politik kosovar, i cili me apo pa vetëdije asnjëherë nuk tregoi vigjilencë apo vendosshmëri në shtrirje faktike të pushtetit vendor në atë pjesë të territorit tonë.
Nëse me vëmendje analizohen deklaratat e Ivanoviqit të dhëna pak kohë para se të vritej e i cili u gjykua për “Krime lufte”, si dhe qasjen e Beogradit zyrtar ndaj kësaj vrasjeje për gjoja ekzekutimin e saj ndaj shqiptarët etj., vërehet tentativa e përshkallëzimit të situatës dhe e krijimit të një rrethane politike e diplomatike ku aneksimi i kësaj pjese nga Serbia bëhet gjithnjë e më i mundshëm. Siç thonë ata “për shpëtimin e serbëve nga regjimi i Prishtinës”.
Si dhe në çfarë forme kjo do të ndodhë varet prej pozicionit tonë dhe këmbëngulësisë diplomatike, si dhe konkretizimit në terren dhe jo me fraza e me fjalë boshe. Në këtë situatë jam i prirë të mendoj se intervenimi apo detashimi i forcave dhe i mjeteve serbe - qofshin ato edhe të kufizuara - në bashkëveprim me strukturat paralele shtetërore serbe që veprojnë në veri të lumit Ibër, shumë lehtë mund të ndodhë sipas doktrinës së përdorur ruse në Krime, vetëm e vetëm për të ndarë përgjithmonë territorin e Kosovës.
Lidhur me këtë ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin, në një prononcim të tij më 17 janar në mënyrë të qartë theksoi se ushtria serbe është e gatshme të reagojë ndaj çdo kërcënimi që do të mundë t’i kanosej serbëve të Kosovës.
Më konkretisht, ai deklaroi: “Ushtria serbe është e gatshme të mbrojë çdo pjesë të territorit tonë (v.j. duke aluduar edhe në Kosovë) dhe jemi mjaft të organizuar e të përgatitur për të gjithë qytetarët e Serbisë dhe i sigurojmë (ata) se paqja dhe stabiliteti i vendit tonë nuk mund të rrezikohet nëse ushtria serbe është këtu”.
Nëse analizohet kjo deklaratë, atëherë lehtë mund të konkludohet se Beogradi zyrtar planifikon t’i dislokojë forcat serbe në pjesën veriore të vendit duke e ndarë atë pjesë të territorit të Kosovës.
S’do mend se për një veprim të tillë forcat e ushtrisë serbe do të bashkëpunonin ngushtë, siç thanë, me forcat paralele serbe të cilat veprojnë atje, siç janë pjesëtarët e inteligjencës serbe, disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës të nacionalitetit serb të një njësiti të forcave speciale e që mund të infiltrohen në atë pjesë dhe qytetarët serbë lojalë ndaj regjimit të Beogradit.
E tëra kjo do të ndodhte pas një ofensive diplomatike që Serbia tashmë ka filluar ta zbatojë në arenën ndërkombëtare për gjoja nevojën e mbrojtjes së serbëve të Kosovës nga Prishtina zyrtare.
(Autori është analist i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë)