Në Vetëvendosje nisin urimet për Kurtin

Fatmire Mulhaxha Kollçaku ka qenë prej të parëve që kanë uruar Albin Kurtin për rikthim në krye të VV’së.

Pas përmbylljes së votimeve, Mulhaxha Kollçaku, nëpërmjet Facebookut, i ka uruar mbarësi partisë me kryetar Albin Kurtin.

Na priftë e mbara me Kryetar Albin Kurtin!”, ka shkruar Kollçaku.

Albin Kurti ka qenë kandidati i vetëm për të parin e partisë, ku aktivistët kanë mundur të japin votën për, kundër tij ose për të abstenuar këtë kandidaturë.

Votimet janë hapur në ora 10:00 dhe kanë vazhduar deri në ora 19:00.

Në procesin e votimit nuk janë parë të kenë marrë pjesë disa prej të pakënaqurve me zhvillimet e fundit brenda VV’së.

Nëpërmjet një postimi në faqen e vet zyrtare në Facebook, Vetëvendosje ka treguar se kush ishin zyrtarët e lartë që dolën për ta votuar Kurtin.

“Parimi një anëtar – një votë, mblodhi sot anëtarësinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! duke votuar në zgjedhjet e brendshme për organizatën e saj në secilin qytet, lagje e fshat e kudo aty ku Lëvizja ka shtrirjen e saj. Interesimi i madh për këtë proces demokratik tregon për një organizatë të gjerë dhe strukturë aktive”, thuhet në postimin e shoqëruar me fotografi gjatë votimit.

Aty shihen duke votuar edhe Shpend Ahmeti, Mytaher Haskuka, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, dhe Rexhep Selimi.