Biznesmeni Lazim Destani organizoi një pritje në Klubin Ekonomik në Dyseldorf

Me rastin e fillimit të këtij vitit, biznesmeni i njohur tetovar, Lazim Destani, organizoi një pritje në Klubin Ekonomik (Wirtschaftclub) në Dyseldorf të Gjermanisë. Këtu të ftuar ishin biznesmenë si dhe personalitete eminente nga sfera të ndryshme të jetës shoqërore dhe politike në këtë vend.

Në këtë mbrëmje ishin prezent mbi 400 pjesëmarrës. Këtu gjendeshin pronarë dhe menaxherë të kompanive prestigjioze të rajonit të Dyzeldorfit që njëkohësisht janë dhe anëtarë të Wirtschaftclub, i cili gjendet në objektin e kompanisë së Destani.

Në këtë event morën pjesë edhe shumë përfaqësues të skenës politike nga të gjitha partitë politike gjermane, Ambasadorë dhe Konzuj nga shumë vende të botës si dhe përfaqësues të medias.

Në mesin e tyre të pranishëm në këtë pritje ishin edhe Konsulli i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani, Michel Kelly, Ambasadori e Kosovës në Berlin, Skënder Xhakaliu si dhe politikani Carsten Linnemann nga Unioni i Kristian-Demokratëve Gjermanë (CDU) i cili me këtë rast mbajti një fjalim të ngjeshur duke shfaqur pikëpamjet e tij lidhur me sfidat e reja me të cilat ballafaqohet ekonomia botërore si dhe roli i Gjermanisë në këtë kontekst.