Hoti: Nuk do të qëndrojmë duarkryq

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka folur pas dështimit te mbledhjes së kryesisë, me ç’rast ka thënë se mund te shkojë edhe muaji janar derisa të thirret mbledhja e ardhshme e kryesisë, shkruan Zëri.info.

Me këtë rast, Hoti ka thënë se LDK nuk do të mund të rrijë duarkryq sa i përket kësaj çështjeje. Ndërkohë, ka pohuar se në rend dite ishte projektligji për shfuqizimin e Speciales, ani pse nuk saktësohej në rendin e ditës.

Por, Hoti ka thënë se LDK do ta lëshojë mbledhjen në momentin kur pritet të flitet për Specialen (herëdokur). “Për specialen i dini qëndrimet tona, do të jemi në atë pikë dhe do ta lëshojmë mbledhjen”, ka thënë Hoti.

Mbledhja e kryesisë ku pritej të shqyrtohej projektligji për zhbërjen e speciales dështoi edhe sot (në mungesë kuorumi), siç kishte dështuar dy herë në natën e 22 dhjetorit./ZËRI