Alarmi i fundit i ndërkombëtarëve për Specialen

Bashkësia ndërkombëtare ka bërë thirrje edhe një herë që të shuhen përpjekjet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Një ditë para se Projektligji për Zhbërjen e kësaj Gjykate të dalë në Kryesinë e Kuvendit ndërkombëtarët kanë apeluar që të hiqet dorë nga çfarëdo ideje për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara, shkruan sot Gazeta 'Zeri'.
Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në një përgjigje dhënë “Zërit” gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar se tentimi për zhbërjen e Speciales rrezikon dukshëm raportet e Kosovës me BE-në. Edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë, ajo Gjermane dhe ajo Norvegjeze, kanë kërkuar që nisma e 43 deputetëve të Kuvendit për ta zhbërë Gjykatën Speciale, të braktiset përfundimisht. Meqë Kryesia e Kuvendit kishte dështuar ta mbajë mbledhjen më 22 dhjetor 2017 për ta caktuar seancën e jashtëzakonshme për ta shfuqizuar këtë Gjykatë, ajo do të mblidhet gjatë ditës së nesërme (ku në rend dite do të jetë edhe Projektligji për Zhbërjen e Dhomave të Specializuara), shkruan Zeri.

BE: Përpjekjet për shfuqizimin e Speciales dëmtojnë raportet Kosovë - BE

Bashkimi Evropian ka kërkuar që të tërhiqet iniciativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Në një prononcim për gazetën “Zëri” Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë se për një gjë të tillë BE-ja ka bërë thirrje qysh në momentin kur kjo nismë është bërë publike (22 dhjetor të vitit të shkuar). Zyra e BE-së tutje ka paralajmëruar se çdo përpjekje për ta zhbërë Gjykatën Speciale i rrezikon raportet mes Kosovës e Bashkimit Evropian. “Në vitin 2015 Kosova mori një angazhim të qartë me BE-në dhe me pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare për t’i themeluar Dhomat e Specializuara. Për BE-në kjo tregoi angazhimin e plotë të Kosovës ndaj sundimit të ligjit. Çdo përpjekje për ta shfuqizuar ose për ta ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara do ta dëmtonte seriozisht një angazhim të tillë dhe do ta rrezikonte punën e përbashkët të BE-së në Kosovë mbi sundimin e ligjit të bërë viteve të fundit. Prandaj, kjo do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në”, thuhet në këtë përgjigje.

Apeli i SHBA-së: Tërhiqni idenë për shfuqizimin e Speciales

Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë kërkuar sërish që të ndërpritet çdo iniciativë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Në një përgjigje dhënë “Zërit” Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka apeluar që të hiqet dorë nga një gjë e tillë.

“Qëndrimi ynë i fuqishëm lidhur me këtë çështje mbetet i pandryshuar. Apelojmë te udhëheqësit e organeve institucionale, te udhëheqësit partiakë dhe te deputetët e Kuvendit që të braktisin çdo ide për shfuqizimin apo rinegocimin e çfarëdo aspekti të Ligjit për Dhomat e Specializuara”, theksohet në përgjigjen e SHBA-së.

Më tej në përgjigje thuhet se SHBA-ja kundërshton propozimin që është bërë për ta zhbërë këtë Gjykatë, i cili të mërkurën pritet të dalë për diskutim në Kryesinë e Kuvendit.

“Ne kundërshtojmë propozimin që është në shqyrtim e sipër dhe çdo përpjekje për t’i ndryshuar Dhomat e Specializuara në çfarëdo mënyre. Deklarata e QUINT-it e 4 janarit 2018 po ashtu thotë se qytetarët duhet të informohen ‘lidhur me pasojat e rënda negative, duke përfshirë pasojat për integrimin ndërkombëtar dhe euroatlantik të Kosovës nëse Kosova vazhdon me këtë rrugë’”, thuhet në vazhdim.  

Ndërkaq, zyrtarë nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë kanë thënë se nuk ka çfarë t’i shtojë asaj që është thënë nga Bashkimi Evropian, i cili ka bërë thirrje që të tërhiqet nisma për shfuqizim. “Ambasada nuk ka çfarë t’i shtojë deklaratës së përfaqësuesve të vendeve të BE-së, të datës 12.01.2018”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Gjermane.

Ambasada Norvegjeze: Tërheqja e iniciativës për shfuqizim është në interesin e Kosovës

Edhe zyrtarë nga Ambasada e Norvegjisë kanë bërë të ditur se janë të shqetësuar sa i përket iniciativës për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale. Nga kjo Ambasadë kanë thënë se vendimi për shfuqizim të kësaj Gjykate do t’i sillte Kosovës dëme të mëdha në procesin e integrimit. “Norvegjia është thellësisht e shqetësuar në lidhje me nismën për ta shfuqizuar Ligjin mbi Dhomat e Specializuara. Një vendim i tillë do ta dëmtonte seriozisht integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe përparimin drejt sundimit të ligjit. Do ta bënte më të vështirë ta rifillonte dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Norvegjisë, shkruan Zeri.

Sipas kësaj përgjigjeje, tërheqja përfundimtare e nismës për zhbërjen e Dhomave të Specializuara kontribuon në të mirë të Republikës së Kosovës. “Norvegjia është mike e afërt e Kosovës dhe ka mbështetur Kosovën politikisht e financiarisht për shumë vite. Duhet të theksojmë se është në interesin më të mirë të Kosovës ta tërheqë iniciativën”, nënvizohet në përfundim të kësaj përgjigjeje.“Norvegjia është thellësisht e shqetësuar në lidhje me nismën për ta shfuqizuar Ligjin mbi Dhomat e Specializuara. Një vendim i tillë do ta dëmtonte seriozisht integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe përparimin drejt sundimit të ligjit. Do ta bënte më të vështirë ta rifillonte dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Norvegjisë./ZERI.