Papa Françesku dhe Erdogan flasin për Jerusalemin

Mediat turke raportojnë se presidenti turk, Recep Tayyip Erdoëan dhe Papa Francesku kanë zhvilluar një bisedë telefonike gjatë ditës së shtunë.

Në qendër të diskutimit ka qenë shqetësimi i përbashkët në lidhje me vendimin e Presidentit Trump për zhvendosjen e ambasadës amerikanë nga Tel Avivi në Jerusalem.

Burime nga presidenca turke, kanë njoftuar agjencinë e lajmeve Anadoll se Erdogan dhe Ati i Shenjtë kanë vlerësuar rezolutën e OKB mbi Jerusalemin, që kundërshtoi vendimin e Shtëpisë së Bardhë.

Ata – nënvizuan bashkërisht nevojën e mbrojtjes së statusit të Jerusalemit si qytet i shenjtë për Islamin, Krishterimin dhe Judaizmin.

Kreu i Vatikanit, ka bërë thirrje gjithmonë për paqe në Jerusalem dhe të gjithë Tokën e Shenjtë, duke u lutur që mes palëve të rifillojë dialogu dhe të arrihet zgjidhja për një bashkëjetesë paqësore mes dy shteteve brenda kufijve të pranuar ndërkombëtarisht dhe reciprokisht.

Kjo është hera e dytë që Erdogan telefon Papën.

Për herë të parë ata kanë biseduar më 7 dhjetor. Presidenti turk, për më tepër në të kaluarën kishte fërkimie me Atin e Shenjtë dhe disa kancelari evropiane.

Por këto ditë presidenti turk, ka shprehur vullnetin për rregullimin e marrëdhënieve me vendet e Bashkimit Europian.