Fshati i vogël Marali, djep i futbollit
Ndoshta nuk është aq i famshëm, por fshati Marali mund të konsiderohet lirisht si djep i futbollit në Kosovë, shkruan zeri.info.
Ky fshat i vogël, me vetëm 150 shtëpi, ka dhënë shumë për futbollin, duke nxjerrë talente të reja, yje të futbollit dhe duke arritur suksese në nivelin vendor me klubet e tij.
Fshati Marali, i cili njihet si fshat i rrushit, mund të mburret me sukseset e arritura në futboll, sidomos me ekipet e të rinjve.
Fshati Marali njihet si djep i futbollit, jo vetëm në krahinën e Llapushës, por edhe më lartë.
Klubi i futbollit Bashkimi, i cili është nga ky fshat, është themeluar në vitin 1981.
Në vazhdim, sukseset për këtë klub nuk kishin të ndalur, me daljen në skenë të gjeneratës së re, sidomos gjenerata 1990-1997, që konsiderohet edhe si gjenerata e artë.
Më 22 mars 1992 ishte shpallur kampion komunal dhe ishin dominues në këtë pjesë në periudhën 1990-1997.
Gjithashtu, në vitin 1993 është shpallur kampion regjional në katër komuna, në regjionin e komunave të Malishevës, Gllogocit (tash Drenasit), Skenderajt dhe Klinës.
Të rinjtë e këtij ekipi janë shpallur kampionë në vitin 2013 në kupën memoriale “Dita e Çlirimit, Ibrahim Mazreku”.
Po ashtu, turneu i fundit i organizuar vetëm brenda fshatit, ndërsa ndeshja ndërmjet gjeneratës së futbollit e vitit 1981 kundër gjeneratës së viteve 1990-1997 është ndjekur nga shumë fshatarë, të cilët nuk i ka ndalur as bora.
“Janë afro 27 vjet që e dominojmë krahinën e Llapushës në futboll. Bashkimi është një emër që la histori. Para luftës kemi pasur shumë raste kur për t’i ikur policisë, shumicën e rasteve kemi udhëtuar edhe me traktor deri në Skenderaj, Turiqec, Klinë, Gllogoc, Therandë, Studenqan kështu me radhë. Thjeshtë futbollin dhe organizimin e ndeshjeve dhe turneve e kemi traditë”, tregon për “Zërin”, Hashim Hoxha, njëri prej njerëzve që ka dhënë më së shumti për futbollin në fshatin Marali.
Ai ishte edhe organizator i turneut të futbollit që u organizua më 28 nëntor të këtij viti në Marali, fshat ky që mblodhi plot 18 klube dhe është ndër të paktat fshatra që nuk e harron asnjëherë Ditën e Flamurit.
E për këtë, merita të mëdha ka edhe Hashim Hoxha, një njeri i palodhshëm, i cili mundohet ta mbajë gjallë futbollin në këtë anë. /Zëri/