Serbia kërkon të krijohen kushte për qarkullim të lirë të mallrave
Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, ka thënë se për 9 muaj të këtij viti qarkullimi i mallrave në mes Kosovës dhe Serbisë ka arritur në 366 milionë euro, ose 13 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar
Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka mbledhur për herë të tretë ekipin e tij për dialog të brendshëm, në takimin e radhës në të cilën kanë marrë pjesë mbi 90 kompani të ndryshme serbe dhe në të cilin është diskutuar për qarkullimin e mallrave dhe të kapitalit në mes Serbisë dhe Kosovës. Në këtë takim, që është mbajtur në Odën Ekonomike të Serbisë, përfaqësuesit e mbi 90 kompanive serbe kanë konstatuar se ndërrimi i mallrave në mes Kosovës dhe Serbisë mbi baza vjetore është mbi 500 milionë euro, por, siç kanë vlerësuar, për ta avancuar bashkëpunimin ekonomik është e nevojshme të hiqen barrierat dhe të krijohen kushte për qarkullim të lirë të mallrave dhe të kapitalit.
Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, mallrat që kanë hyrë nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas për 9 muaj të këtij viti kapin shumën prej 366 milionë eurosh, ose 13 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Pika fillestare e afaristëve është interesi i tyre i përbashkët. Oda Ekonomike e Serbisë dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë mbajtur deri më tani 17 takime dhe kanë zbatuar një mori aktivitetesh, të cilët kanë sjellë deri tek harmonizimi i certifikatave dhe përparime në bashkëpunimin e shërbimeve doganore”, ka thënë Çadezh, deklaratën e të cilit e përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës. Ai ka shtuar se gjërat duhet shikuar realisht dhe që të gjenden zgjidhje se cilat firma nga Serbia Qendrore dhe nga Kosova duhet lehtësuar funksionimin e përditshëm. “Lidhjet politike dhe ekonomike gjithmonë kanë ekzistuar. Dialogu politik është vendi ku diskutohet për tema të mëdha, ndërsa afaristët dhe ekonomistët të bëjnë punë në atë mënyrë që të jenë të kënaqur të dyja anët”, ka thënë mes të tjerash kryetari i OES-së, Marko Çadezh.
Në anën tjetër Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se qarkullimi i mallrave në të dyja drejtimet i kontribuon në masë të madhe zhvillimit ekonomik. “Pa ekonomi të fortë nuk ka forcim të pozitës së serbëve në Kosovë. Është me rëndësi se ka nevojë që firmat serbe të investojnë në Kosovë, sepse kjo do të thotë më shumë vende pune në mjediset serbe. Dy odat ekonomike po punojnë shumë mirë dhe ne jemi të gatshëm t’i japim shtytje të re bashkëpunimit, ndërsa afaristët kanë mbështetur heqjen e barrierave ekonomike dhe obligim yni është që t’i mbështesim”, ka thënë mes të tjerash drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.