Edi Mehana sfidon vetën si regjisor

Aktori kosovar, Edi Mehana, pas roleve të shumta në seriale dhe filma amerikanë, tashmë ka vendosur të sfidohet edhe prej një këndi tjetër, atij të regjisorit.

“The Pride”, është filmi i metrazhit të shkurtër, i cili xhirimet i ka përfunduar në muajin gusht. Ky film për skenaristë ka Virtyt Kelmendin e Edi Mehanën.

Filmi “The Pride” (Krenaria) flet për luftën e fenë, por prek edhe çështjet e komunitetit LGBTQ. Në film gjenerali Turman qëndron në karrocë si pasojë e plagëve të luftës, por edhe mburret me krenari për shërbimin e tij ushtarak. Ky veteran preokupohet nga disa vendime që merren në ushtri me të cilat nuk pajtohet.

Ai gjithashtu nuk mund të pajtohet me fatin e djalit të tij Christian, i cili që 5 vite është zhdukur në luftë, në Middle East.

Edhe pas telegramit nga ushtria që djali i tij është i vdekur, ai ende beson se Christian është gjallë, sa që fillon të shkruaj letra në emër të djalit të tij dhe i shtyn miqtë e tij t’i lexojnë letrat për t’i bindur se Christian është gjallë. 

Në anën tjetër gjenerali ballafaqohet edhe me homoseksualitetin e djalit të tij të dytë.

Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Charles Tiedje, Dominic Capone, Doug Mcdade, Chris Maher, Gabija Guzauskaite, James Fuller, Kenny Lone Eagle, Harold Dennis, Luis Centeno e Edi Mehana. /ZËRI/