PDK-ja akuzon BE-në se po ia mbanë krahun AAK-së
Dega e PDK-së në Klinë përmes një kumtese ka kërkuar sqarim nga BE-ja për rolin e tyre në rundin e balotazhit.
“Duke u bazuar nga komunikata zyrtare e degës së AAK-së në Klinë, të publikuar në rrjetin social facebook, AAK dega në Klinë, rreth vizitës së përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në degën e AAK-së, më 13 nëntor 2017, del hapur se përfaqësuesit e BE-së, janë në përkrahje të kandidatit të AAK-së për kryetar Komune Zenun Elezaj”, thuhet në kumtesën e PDK-së.
PDK ka këruar sqarime nga zyra e BE-së në Kosovë rreth pozicionit të tyre në këto zgjedhje dhe rreth kësaj komunikate të AAK-së, meqenëse janë parafrazuar në të dhe a janë të vërteta pohimet e thëna në komunikatën e AAK-së.
“A është misioni i tyre vetëm vëzhgues apo përkrahës të njërit apo kandidatit tjetër për kryetar komune në Klinë?”, thuhet më tej në kumtesë
Sipas kumtesës, në bazë të deklaratës së degës së AAK-së, del se përfaqësuesit e BE-së, Toril Lund nga Norvegjia dhe Antonio Villacis nga Estonia mbështesin kandidatin e AAK-së.
“Dëshirojmë të ja përkujtojmë misionit të BE-së se ata në këtë proces janë vetëm monitorues, vëzhgues të fushatës elektorale dhe procesit të votimit. Prandaj kërkojmë nga zyrtarët e BE-së që të sqarojnë këtë rast”, thuhet në kumtesë.
Sipas PDK-së, pikërisht këta zyrtare të BE-së, janë takuar dy herë me kryetarin e Komunës dhe kandidatin e PDK-së, Sokol Bashota, dhe kanë treguar se roli i tyre është vetëm si vëzhgues.
Por sipas komunikatës së AAK-së, ata publikisht qenkan deklaruar se mbështesin kandidatin e AAK-së.
Dega e PDK-së në Klinë deklaron se ka raporte shumë të mira me përfaqësuesit e BE-së dhe ka mirëpritur rolin e tyre në procesin zgjedhor.