Kuvendi, 4 seanca për 66 ditë

Katër seanca janë mbajtur deri më tash, ndonëse Kuvendi i ri është konstatuar qe 66 ditë. Përfaqësues të opozitës fajin për këtë po ia hedhin kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veselit, pasi që ai ka lënë anash Kuvendin dhe është duke u marrë me fushatë zgjedhore për rundin e dytë të zgjedhjeve, që do të mbahen më 19 nëntor

4 seanca mbetet numri i seancave të mbajtura nga Kuvendi i Kosovës që nga konstituimi i tij qysh prej 66 ditësh. Pavarësisht faktit që ndërkombëtarët kanë kritikuar këtë gjë, zgjedhjet lokale që do të mbahen javën e ardhshme kanë lënë përsëri peng mbajtjen e seancave të Kuvendit, që pritet ta vazhdojë punën vetëm pas këtyre zgjedhjeve.
Deputet të Kuvendit, si ata të pozitës, ashtu edhe ata të opozitës së vendit, konsiderojnë se kjo “mospunë” e Kuvendit po bëhet për shkak se partitë në pozitë po mundohen t’i fshehin forcat reale politike në Kuvend. Arsyeja tjetër se pse Kuvendi nuk po mblidhet, sipas tyre, është pikërisht kryetari i Kuvendit, i cili, siç vlerësojnë ata, është duke u marrë me fushatë dhe me zgjedhje, duke harruar kështu punët e tij si kryetar i Kuvendit. Ndërsa analistët e vendit thonë se mosmbajtja e seancave plenare të Kuvendit po i shkakton vendit vonesa, gjë që po i dëmtojnë ligjet që po presin për procedim në Kuvend.

Halil Matoshi, zëdhënës i Qeverisë, thotë se Qeveria po punon me dinamikën e saj dhe është normale që Qeveria ta përcaktojë veprimin e saj në interes të qytetarëve. “Qeveria punon me dinamikën e saj dhe projektligjet i procedon sipas kësaj dinamike të përcaktuar dhe programit qeverisës. Është e natyrshme që Qeveria ta përcaktojë veprimin e saj konform platformës dhe programit dhe në interes të vendit e të qytetarëve të tij.

Pantina: Koalicioni qeverisës po mundohet t’i fshehë forcat reale politike në Kuvend

Shqipe Pantina, deputete nga lëvizje “Vetëvendosje”, në një prononcim për “Zërin” thotë se ky problem i mospunës së Kuvendit është i njëjtë me atë gjatë legjislaturës së Kosovës, gjë e cila po ndodh për shkak se partitë në pozitë të vendit po mundohen t’i fshehin forcat reale politike në Kuvend. “Është duke u përsëritur problemi i njëjtë sikur në legjislaturën e kaluar, kur Kuvendi mblidhej shumë rrallë dhe pastaj seancat stërngarkoheshin me pikat të rendit të ditës, dikur në 20 apo 30 pika e kjo mendoj unë që bëhej për dy arsye: e para, për ta shmangur sa më shumë kohën e deklarimeve ku deputetët kërkojnë llogari nga Qeveria dhe përgjegjësi për punët e moskryera dhe e dyta, bëhet për t’i fshehur forcat reale politike që janë në Kuvend”, ka thënë Pantina. Sipas saj, partitë në koalicion qeverisës nuk duan të tregojnë në publik se shumica parlamentare përbëhet nga opozita, kjo natyrisht që e dëmton punën jo vetëm të Kuvendit, por edhe funksionimin e shtetit dhe të Kuvendit. Ajo konsideron se për mosmbajtje të seancave fajtori kyç është kryeparlamentari, i cili nuk ka kohë për një gjë të tillë, pasi që është duke u marrë me fushatë. “Fajtor kryesor mendoj që është vetë kreu i Kuvendit, sepse është përgjegjësi e tij për t’i thirrur mbledhjet e Kryesisë dhe për t’i caktuar seancat. Ai këto ditë është duke u marrë më shumë me fushatë dhe me zgjedhje sesa me punët e tij si kryetar i Kuvendit për t’u kujdesur për mbarëvajtjen e punëve në Kuvend”, ka potencuar Pantina. Ajo gjithashtu shtoi se pavarësisht faktit që shpreson që Kuvendi ta nisë punën, për një gjë të tillë ajo nuk po sheh shenja pozitive pasi që ky koalicion qeverisës nuk është i interesuar në funksionimin e shtetit në përgjithësi. “Interesi i tyre vazhdon të mbetet i njëjtë; ai i përmbushjes së nevojave të veta qoftë grupore klanore, qoftë partiake. Aty ku është PDK-ja pjesë e pushtetit nuk funksionon shteti”, ka përfunduar Pantina.

Abdyli: Kryetari i Kuvendit nuk është i përkushtuar për të kryer punë në Kuvend

Ndërsa Haxhi Abdyli, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se kjo pauzë disamujore e punës së Kuvendit ka krijuar zbrazëti të cilat dëmtojnë Kosovën në shumë forma. “Pauza disamujore e bërë ka krijuar zbrazëti, shumë ligje që janë planifikuar të bëhen në 2017-ën kanë ngecur, tash puna e koalicioneve e gjërave të tjera ka bërë vonesa të mëdha. Kosova është duke humbur kohë për disa ligje shumë të rëndësishme, të cilat janë të nevojshme për zhvillimet e reja”, ka thënë Abdyli. Sipas Abdylit, njëri nga fajtorët për këtë ngecje të punës së Kuvendit është kryetari i Kuvendit, i cili nuk po e kryen punën e vet, pavarësisht rolit që ka. “Ne kemi një kryetar Kuvendi që më shumë interesohet për të bërë vizita, sikur vitin e kaluar, ndërsa tash del si kryeministër prapë nëpër spitale e nëpër ndërmarrje, pra nuk është i përkushtuar për ta kryer punën në Kuvend, sepse kryetari i Kuvendit mundet të ketë rol, por kjo mund edhe të bëhet nga Qeveria”, është shprehur Abdyli. Ai i quan gjithë këto procese si “hallka”, të cilat nuk janë duke funksionuar si duhet dhe prandaj edhe kemi ngecje e këto ngecje do t’i dëmtojnë edhe institucionet tjera, edhe njerëzit që presin për aprovimin e shumë ligjeve në Kuvend.
 

Sejdiu: Përgjegjësi e Kuvendit, që të mblidhet më shpesh

Në anën tjetër, deputeti i pavarur Korab Sejdiu thotë se pavarësisht faktit që deputetët individualisht po mundohen që t’i përmbushin obligimin e tyre prapë mosmbajtja e seancave po shkaktohet nga përfshirja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë e disa deputetëve në fushatat elektorale për zgjedhjet lokale. “Besoj është mëse e qartë që kjo situatë po shkaktohet nga përfshirja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë e deputetëve në fushatat elektorale për zgjedhjet lokale. Dhe kjo pastaj po rezulton në mungesë të kryerjes së plotë të obligimeve që ne i kemi si Kuvend”, ka thënë Sejdiu. Ai thotë që edhe pse disa deputetë po mundohen individualisht ta kryejnë obligimin e tyre ndaj qytetarëve, përsëri konsideron se mosmbajtja e seancave plenare të Kuvendit po vonon edhe çështje me rëndësi për vendin. “Ka shumë prej neve deputetëve që në nivel individual po mundohemi të punojmë maksimalisht në kryerjen e obligimeve që kemi marrë përsipër kur jemi bërë deputetë. Por, fatkeqësisht po mungon edhe mbajtja e seancave plenare të Kuvendit, ku vonohet trajtimi i çështjeve të cilat kërkojnë adresim nga i tërë Kuvendi. Prandaj, është përgjegjësi e Kuvendit që të mblidhet më shpesh, pavarësisht angazhimeve elektorale të deputetëve”, ka shtuar Sejdiu. Sipas tij, është e nevojshme që Kuvendi të takohet aq shpesh sa ka çështje për të adresuar e që në këtë kohë ka shumë punë që janë duke ardhur si çështje të trashëguara nga legjislatura e kaluar, përpos atyre që po arrijnë sipas orarit të rregullt.

Tahiri: Partitë po e vënë interesin partiak mbi atë shtetëror

Ndërsa Ramush Tahiri, njohës i çështjeve politike, thotë ajo që humb nga kjo “mospunë” e Kuvendit është Kosova, sepse mbesin shumë punë të pakryera. E kjo gjë, sipas tij, po bëhet sepse interesi partiak i partive po qëndron mbi interesin shtetëror të tyre. “Kosova po ka ngecje në punën institucionale për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe për shkak të angazhimit të personave si deputetë e ministra në këtë çështje dhe për shkak të angazhimit edhe të Qeverisë dhe janë të lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, sepse koalicionet në nivel lokal, që nuk po janë shumë parimore, po u prishin punë”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, partitë e vendit po i anashkalojnë këto procese sepse interesi partiak atyre ua ka mundur interesin shtetëror.