Lufta sekrete e Rina Hajrës

Ndonëse ishte vetëm 7 vjeçe kur u largua nga Kosova, kjo nuk e ka ndaluar Rina Hajrën nga Ferizaj, të frymëzohet për ta realizuar një film për vendin nga vjen.

Përkundrazi, arsyeja e ikjes, që është lufta e fundit në Kosovë, ka bërë që ajo t’i përveshë mëngët për ta realizuar një film të shkurtër, që titullohet “My Secret War” apo në shqip “Lufta ime e fshehtë”.

Siç tregon Rina për gazetën “Zëri”, “My Sekret War” është një dramë psikologjike e luftës për shpengimin, faljen dhe efektet e luftës. Një vajzë e re ballafaqohet me vendimin e errët që ajo kishte qenë e detyruar ta merrte si fëmijë i luftës. Filmi fokusohet në psikologjinë e njeriut se si e gjen forcën që t’i tejkalojë tragjeditë edhe sfidat dhe çfarë pasojash të tmerrshme shkakton lufta.

“Dua që ky film t’i frymëzojë njerëzit të jenë më paqësorë, të luftojnë për drejtësi, ta kuptojnë tragjedinë e luftës dhe t’u japë forcë njerëzve që t’i tejkalojnë te këqijat në jetën e tyre. Filmi do të jetë i gjatë afër 20 minuta”, thotë Rina Hajra, duke shtuar se frymëzimi i ka ardhur nga ngjarjet nëpër të cilën ka kaluar edhe familja e saj në atë periudhë.

“Më ka frymëzuar sakrifica e prindërve të mi, ngjarjet e luftës që kanë përjetuar familjarët tjerë dhe kujtimet e mia si fëmijë. Më në fund kam dashur vetë ta kuptoj më shumë pse shkaktohet lufta. Kam studiuar ‘Justice Studies’ dhe kam marrë klasa për gjenocid, jam interesuar se pse njerëzit masakrojnë të pafajshmit, pse ndodh gjenocidi. Kam dashur ta bëj një punim katarzë. E kam shkruar skenarin para 5 vjetëve, në klasën ‘Intermediate Playwriting’, ‘Klasa e Skenarit’, në Universitetin e Arizonës, Arizona State University”, tregon ajo për "Zërin".

Hajra, e cila jeton në Arizonë të SHBA-së, thotë se refugjatët e përjetojnë luftën dy herë dhe pikërisht këtë përvojë të saj e tregon filmi “My Secret War”.

“Filmi lidhet me mua, sepse e kam përjetuar luftën dhe çka domethënë të jesh refugjate në Amerikë. Fëmijët e refugjatëve e përjetojnë dy herë luftën. Një herë si fëmijë (nëse kanë moshën që të kenë kujtime) dhe së dyti vuajtjet e familjes së ngushtë e të gjerë, domethënë emocionet bëhen pjesë e fëmijëve. Por dua të them një gjë, skenari është fiksion dhe nuk është autobiografi e jetës sime. Për shembull, në film mbyten familja e Verës (roli kryesor), mua nuk më ndodhi kjo, por prapëseprapë e ka frymëzimin nga emocionet dhe ngjarjet e vërteta të luftës”, thekson Hajra.

“My Secret War”, sipas saj, është një testament i fuqishëm për elasticitetin njerëzor dhe fuqinë e faljes. Është një film i ndërgjegjes shoqërore, që shqyrton temat e mizorisë njerëzore, të refugjatëve dhe çfarë do të thotë ta kesh një shans të dytë në jetë.

Filmi flet për një vajzë të pafajshme, e cila ballafaqohet me mizoritë e luftës. Në momentet e terrorit ajo zbulon një sekret të dy ushtarëve mizorë. Ajo zbulon një sekret që thyen identitetin dhe moralin e saj. Dhjetë vjet më vonë, e vendosur në një qytet në Amerikë, ajo takon një mik nga e kaluara e saj, i vetmi person që mund ta zhbllokojë sekretin e saj të gjatë.

Hajra dhe ekipi i saj janë të përkushtuar ta xhirojnë pjesën e parë të filmit në dhjetor të këtij viti, e pastaj edhe pjesën e dytë, pasi të mblidhen fondet.

“Kam besim dhe respekt për regjisorin Kevin R. Phipps, regjisor amerikan dhe drejtor i studios së aktrimit ‘The Artist’s Box’ në Tempe, Arizona. Ai me ndihmon për zgjidhjen e ekipit dhe për shumë elementë të filmit, për shkak se ka shumë përvojë. Ai është i lidhur shpirtërisht me filmin. Përveç regjisorit që e përmenda, në ekip bëjnë pjesë edhe Allen, Elijah, Daniel, Sam, Shannon, Kirk, Bruce, Joe Q, Ruben, etj. Kemi dëshirë që t’i angazhojmë edhe disa yje shqiptaro-amerikane në këtë film”, thotë ajo, duke shtuar se janë në kërkim të fondeve, megjithëse për fillim është bazuar në fondet e saj dhe të familjes.

E pyetur se a mendon se është shtjelluar sa duhet dhe si duhet tema e luftës së Kosovës në projektet kinematografike, Hajra thotë së secili prej tyre e ka rëndësinë e vet.

“Unë mendoj se çdo artist mundet të japë diçka unike në film. Asnjë njeri nuk është i njëjtë dhe besoj që kjo mundëson që çdo film për luftën e Kosovës të jetë i veçantë dhe me perspektivë të re. Si shembull, ka shumë filma për Holokaustin dhe Hitlerin, por çdo film e ka rëndësinë e vet. Pika e dytë, unë e kam shkruar këtë skenar para shumë viteve dhe mbasi kanë dalë disa filma për luftë në disa momente kam menduar që më mirë ta bëj një film universal, e jo për Kosovën, por në fund besoj që më shumë ka vlerë si film me temë shqiptare. Dua t’u tregoj shqiptarëve se çka ka ndodhur në Kosovë nuk do të harrohet kurrë, edhe pse filmi flet për lidhje psikologjike e jo për politike, prapëseprapë filmi do të jetë si testament i luftës dhe dua t’i bëj krenarë edhe shqiptarët e Arizonës, ku jetoj unë”, përfundon ajo. /ZËRI/