Kufiri Kosovë - Shqipëri si kufi i BE-së
Dy qeveritë shqiptare, ajo e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, pritet të mbajnë mbledhje të përbashkët një ditë para përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 27 nëntor, në qytetin e Korçës, shkruan sot, gazeta Zeri.
Kështu kanë bërë të ditur dy kryeministrat shqiptarë, ai i Kosovës Ramush Haradinaj, dhe ai i Shqipërisë Edi Rama, pas takimit që patën gjatë ditës së djeshme në Tiranë.
Me këtë rast, dy kryeministrat kanë bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme kanë diskutuar rreth unifikimit të konsultave, barasvlefshmërinë e diplomave, krijimin e një kufiri evropian mes dy shteteve shqiptare dhe shumë çështje të tjera që prekin Kosovën e Shqipërinë.
Më tej, ata kanë folur edhe për çështjen e demarkacionit, ku përderisa Haradinaj është zotuar se do t’i ruajë raportet me Malin e Zi, Rama ka thënë se kryeministri i Kosovës tashmë duhet të largohet nga pozicioni opozitar sa i përket kësaj çështjeje, në mënyrë që demarkacioni të zgjidhet sa më shpejt.
Nga ana tjetër, kryeministri Haradinaj gjatë ditës së djeshme sa ka qëndruar në Tiranë është takuar edhe me presidentin e Shqipërisë Ilir Metën, kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçin, liderin e PD-së Lulzim Bashën, ish-kryeministrin e Shqipërisë Sali Berishën dhe princin Leka Zogu II.
Haradinaj u prit me ceremoni shtetërore
Me ceremoni shtetërore, nën himnin kombëtar shqiptar, qeveria e Shqipërisë priti në takimin e parë zyrtar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Pas takimit, i cili u mbajt prapa dyerve të mbyllura, Rama vlerësoi lart vizitën e homologut të tij nga Kosova.
“Vizita e parë jashtë Kosovës e kryeministrit Haradinaj në Shqipëri është një gjest domethënës që e çmoj, por edhe një shenjë e qartë e ndërveprimit tonë të përjetshëm”, deklaroi shefi i ekzekutivit të Shqipërisë pas takimit.
Ai me këtë rast bëri të ditur se qeveria e Shqipërisë ofron gjithë mbështetjen karshi programit të qeverisë “Haradinaj”.
Po ashtu, Rama u shpreh optimist për shpejtimin e agjendës së dy qeverive shqiptare.
Edi Rama më tutje bëri të ditur se në takim është diskutuar rreth unifikimit të konsullatave me Kosovën, në mënyrë që shqiptarët nëpër botë të kenë nga një referencë në secilin vend.
Pos kësaj, ai tha se në fokus qendror do të jetë edhe heqja e kufirit mes dy shteteve dhe krijimi i një kufiri simetrik, evropian. Rama po ashtu përmendi edhe Portin e Durrësit, me ç’rast tha se ky port nuk do të jetë më vetëm i Shqipërisë.
“Porti i Durrësit nuk është vetëm porti i Shqipërisë zyrtare, është edhe porti i shqiptarëve të Kosovës. Është e padrejtë, e pandershme dhe e paarsyeshme që sipërmarrjet shqiptare që çojnë mall në Kosovë përmes Portit të Durrësit të kontrollohen dy herë. Këtë kemi rënë dakord ta finalizojmë në mbledhjen e 27 nëntorit”, u shpreh Rama.
Kurse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Shqipëria ka qenë ajo e cila i ka qëndruar gjithmonë afër Kosovës.
“Unë dhe Kosova jemi përherë të vetëdijshëm dhe ndihemi mirë që krejt udhëtimin e Kosovës ndër etapa nuk kemi qenë vetëm. Më së afërmi na ka qëndruar Shqipëria, vëllezërit dhe motrat tona dhe këtë e ndiejmë edhe sot”, deklaroi ai pas takimit.
E pos Shqipërisë, shefi i ekzekutivit tha se Kosova ka edhe shumë aleatë të tjerë nëpër botë.
Ndërkohë tha se Kosova e mirëpret mbledhjen e përbashkët të qeverive shqiptare.
“Ne e mirëpresim mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që do të mbahet më 27 nëntor, në Korçë”, tha Haradinaj.
Rama: Demarkacioni të zgjidhet sa më shpejt
Pas takimit të djeshëm dy kryeministrat shqiptarë pos tjerash folën edhe për çështjen e demarkacionit, me ç’rast kryeministri Edi Rama tha se kjo marrëveshje duhet të zgjidhet sa më parë.
“Ndajmë shqetësimin tonë për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, proces i cili po krijon jo pak probleme me bashkësinë ndërkombëtare, e cila ka qenë dhe mbetet garanti kryesor i Kosovës. Interesimi i Kosovës është zgjidhja e këtij problemi që është kthyer në ngërç për rrugën drejt BE-së”, deklaroi ai pas takimit.
Ndërkohë, i bëri thirrje Haradinajt që të largohet nga pozicioni sa ishte në opozitë karshi kësaj marrëveshjeje.
“Kryeministri kërkon edhe pak kohë që të ndahet nga pozicioni i tij opozitar karshi këtij problemi. Është një problem që nuk është i Malit të Zi, një problem që është brenda Kosovës”, shtoi Rama.
Ai më tej tha se çështja e demarkacionit tashmë ka mbetur një problem i politikës kosovare, por jo i Malit të Zi.
Pavarësisht këtyre, kryeministri Haradinaj u zotua se do t’i ruajë raportet me Malin e Zi. Ai me këtë rast tha se gjatë procedimit të mëtejshëm të Demarkacionit do të forcohen raportet me shtetin fqinj.
Ndërkaq, më tej Edi Rama foli edhe anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, me ç’rast tha se nuk e kupton logjikën e Serbisë që ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
“E kam të pamundur ta kuptoj logjikën e refuzimit serb për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Është krijuar një shtet i ri fqinj, sovran dhe i pavarur. Kosova humb më pak se Serbia sepse UNESCO dihet se çfarë është dhe dihet se për çfarë duhet”, potencoi ai.
Ruçi: Nuk ka asnjë gjë që e ndan Kosovën dhe Shqipërinë
Kryeministrin e Kosovës në një takim të veçantë e ka pritur dje edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Ruçi e përgëzoi Haradinajn për besimin e marrë në Parlamentin kosovar për zgjedhjen e tij në krye të Qeverisë kosovare.
“Është kënaqësi e veçantë t’ju mirëpres në Kuvendin e Shqipërisë dhe është mjaft domethënës fakti që vizitën tuaj të parë si kryeministër e zhvilloni në Shqipëri dhe me autoritetet shqiptare. Ne i kemi ndjekur me vëmendje të madhe zhvillimet në Kosovë dhe më lejoni t’ju përgëzoj për besimin që morët në Parlament dhe ju uroj suksese në detyrën tuaj si kryeministër”, tha kryetari i Kuvendit.
Gjatë takimit, Ruçi u shpreh se mes dy vendeve ka një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe në këtë kuadër do të vijojë akoma më shumë puna për të thelluar dhe intensifikuar marrëdhëniet në të gjitha fushat, por kryesisht mes dy parlamenteve tona.
“Mes nesh dhe jush nuk ka asnjë gjë që na ndan përveçse shumë gjëra që na bashkojnë. Në këtë kuadër ne duhet të bëjmë akoma më shumë për të thelluar dhe për të intensifikuar marrëdhëniet tona në të gjitha fushat, por kryesisht mes dy parlamenteve tona”, theksoi kryetari i Kuvendit.
Ruçi nënvizoi gjithashtu se Tirana zyrtare ka qenë dhe do të mbetet mbështetësja më e madhe e shtetit të Kosovës në aspektin e njohjes së saj si shtet i pavarur dhe sovran, por edhe të aderimit në organizmat ndërkombëtare, në të cilat ende nuk është bërë pjesë.
“Kosova tashmë është një realitet i pranuar nga shumë shtete evropiane dhe botërore dhe kam besim që bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve për proceset integruese do të vijojë ngushtësisht”, tha kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Berisha: Besoj që Haradinaj do ta realizojë agjendën në interes të mbarë shqiptarëve
Nga ana tjetër, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, pas takimit që ka pasur dje me Haradinajn është shprehur i bindur se kryeministri i Kosovë do të punojë në të mirë të gjithë shqiptarëve.
“Pavarësisht kufijtë që kemi, interesat janë të njëjta. Kam besim të madh që z. Haradinaj do të realizojë një agjendë, e cila është në interes të mbarë shqiptarëve”, deklaroi Berisha, duke e uruar Haradinajn për marrjen e postit të Qeverisë.