Kosova e do vendin e tretë në kualifikimet e Botërorit

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka nisur qysh tash t’i bëjë përgatitjet për eliminatoret e “Botërorit 2019”, ku Verdhekaltrit e siguruan kualifikimin me vështirësi.

Tash synim i Përfaqësueses është që të mos e shohë më veten në parakualifikimet, duke filluar nga Evropiani i ardhshëm, shkruan sot gazeta Zëri.

E për ta arritur këtë krerët e basketbollit kosovar po synojnë që ta mbyllin së paku në pozitën e tretë fazën kualifikuese të “Kina 2019”.

Me këtë rast, përpos kalimit në fazën tjetër të kualifikimeve, Kosova do ta shmangte edhe fazën parakualifikuese të Evropianit të ardhshëm.

Nëse jo pozita e tretë, atëherë presidenti i FBK-së Erolld Belegu shpreson që Dardan Berisha me shokë ta arrijnë së paku një fitore përpara tifozëve të shumtë, të cilët pritet ta mbështesin ekipin në këtë fazë.

“Dëshirë jona është ta zëmë pozitën e tretë dhe të kalojmë në xhiron e ardhshme. Ajo na mundëson disa gjëra që të mos luajmë në parakualifikimet për Kampionatin Evropian, pasi kjo pozitë e tretë na mundëson që me automatizëm të luajmë në kualifikimet e Evropianit. Unë besoj se sigurisht do ta kemi ndonjë fitore. Tash me 2.800 ulëse do të kemi më shumë shikues dhe do të jemi më të zëshëm dhe pse jo të shpresojmë në ndonjë befasi. Ne kemi një kualitet të shtuar, një ekip ndryshe”, theksoi fillimisht Belegu për “Zërin”.

Sipas tij, përparësi e Kosovës është se Lituania në lojën e parë nuk mund të llogarisë në lojtarët që luajnë në NBA dhe në Euroligë pasi kanë angazhime me klubet përkatëse, por e pranon se ky vend është një superfuqi e basketbollit.

Gjithashtu, e njëjta gjë vlen edhe për Hungarinë, e cila në duelin e parë me kosovarë nuk do të mundë të llogarisë në lojtarët kryesorë.

Kosova gjendet në Grupin C, së bashku me Poloninë, Lituaninë dhe Hungarinë, një grup ky që është konsideruar paksa i lehtë duke i parë grupet tjera “të frikshme”.

Ndeshjen e parë Verdhekaltrit do ta zhvillojnë në shtëpi më 23 nëntor me Lituaninë. Kurse tri ditë më vonë do të jetë mysafire e Hungarisë (26 nëntor).

Belegu beson se deri në atë kohë Pallati i Sportit në Prishtinë do të rinovohet në bazë të kërkesave të FIBA-s dhe se Përfaqësuesja do t’i zhvillojë ndeshjet si vendës në këtë palestër.

E kërkojnë një fundor

FBK-ja e ka konfirmuar trajnerin Greenberg, me të cilin e arriti kualifikimin historik dhe do ta vazhdojë rrugëtimin e saj me amerikanin. Ndërkohë, shtëpia e basketbollit kosovar është në kërkim të një basketbollisti fundor, me kërkesën e trajnerit.

Sidoqoftë, nëse nuk gjendet lojtari adekuat Përfaqësuesja do të vazhdojë me ekipin e njëjtë, të cilin e ka konfirmuar Greenbergu.

“Momentalisht trajneri është i kënaqur me ata lojtarë që i kemi. Trajneri është në kërkim të një lojtari të pozitës 1. Por, ai duhet të jetë superkualitet. Por, fatkeqësisht lojtarët superkualitativë gjenden të angazhuar në Euroligë dhe në ta nuk mund të llogarisim. Prandaj, gjasat janë të vazhdojmë me ekipin që u paraqitëm këtë verë”, përfundoi Belegu.

Deri më tash për Përfaqësuesen e Kosovës kanë luajtur tre basketbollistë të natyralizuar: Justin Doellman, Scott Bamforth dhe Shawn Jones. /Zëri/