Martohet djali i një prej biznesmenëve më të pasur shqiptarë, gjithçka nga dasma

 

Një tjetër dasmë madhështore është zhvilluar në Tiranë, por këtë herë në familje biznesmenësh. Shefqet Kastrati, njeriu i dytë në listën e sipërmarrësve më të pasur në Shqipëri sipas EEI, ka organizuar mbrëmë dasmën e djalit të tij Musa me një vajzë simpatike nga Tirana, Adela.

Nëse do pyesni ku është zhvilluar dhe do prisni emrin e një hoteli luksoz apo resorti të dëgjuar, duhet t'ju themi që sipas informacioneve të pjesëmarrësve, dasma është zhvilluar në një vend të ngritur nga e para në afërsi të Vorës. Një tendë madhështore dhe një altar janë krijuar për të pritur celebrimin dhe festën e kësaj martese.

Nga fotot dhe videot që kanë postuar të ftuarit e njohur të kësaj dasme, zbulohen disa detaje. Çifti Kristian dhe Drilona Boçi, nga fusha e binzesit ishin të pranishëm dhe kanë publikuar disa çaste interesante.

Një prej tyre është që celebrimi është drejtuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Nusja ka veshur një fustan stil princeshe me bisht dhe vello të gjatë me shumë shkëlqim, që më pas e ka zëvendësuar me një model pas trupit shumë më të thjeshtë për t'u mbajtur gjatë vallëzimeve. 

Ato sigurisht nuk kanë munguar, nën melodinë e muzikës së zgjedhur dhe zërin e këngëtarëve të ftuar, Sinan Hoxha, Gena, Yllka Kuqi etj. Dasma ka pasur një çast të jashtëzakonshëm spektakli kur profesionistët e baletit shqiptar, Gerd dhe Enada Vaso kanë dhuruar një tango për të ftuarit.

Ndër të ftuarit ishte edhe Vjollca Hoxha, pronarja e Top Channel me të bijat dhe partnerët e tyre si dhe Filip Çakuli nga ky televizion. Mesa duket mes familjeve në listën e më të pasurave shqiptare ka miqësi. 

Një nga të ftuarit e njohur ishte edhe Ardit Gjebrea i cili me postimet e tij na zbuloi tortën shumëkatëshe, borë të bardhë dhe çastin e prerjes së saj nga çifti.

Mediat kanë shkruar që kjo ishte festa VIP, ndërkohë që familja do të organizojë edhe dy dasma të tjera.