Isa Mustafa flet pas marrëveshjes së arritur mes AKR-së dhe PAN-it

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka komentuar marrëveshjen ndërmjet koalicionit PAN dhe AKR-së.

Ai ka thënë se presioni ndaj Pacollit dhe oferta gjeneroze që iu ofrua atij, bëri që AKR-ja të dal nga koalicioni LAA.

“LDK, AKR si edhe Alternativa e kishin të qartë se kush janë kapësit e vërtetë të pushteti dhe Republikës. Votuesit e sajë e kanë dëshmuar më së mirë kur kanë vendosur të “kthehen në shtëpinë e tyre, siç shpreheshin vet, të Ibrahim Rugovës”. Prandaj koalicioni ynë ishte bashkim i votuesve tanë. Presioni i çdoditshëm mbi z. Pacolli e bëri të veten. E bëri të veten edhe oferta tepër gjeneroze ndaj biznesmenit Pacolli”, ka shkruar ndër të tjerash Mustafa në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”.

Postimi i plotë i Mustafës:

Sot, në një takimi formal kisha Kryetarin e Aleancës Kosova e Re, z. Behgjet Pacolli, i cili më njoftoj me vendimin e tij për të dal nga Koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës, koalicion ky i ndërtua në prag të zgjedhjeve nacionale mbi parimet e shëndosha të mirëqeverisjes në vend.

Me z. Pacolli dhe AKR-në kemi pasur një frymë bashkëpunuese gjatë dhe pas zgjedhjeve nacionale dhe gjetëm harmoni në planin politik e programor. Bashkëpunimi gjatë kësaj kohe ka qenë i frytshëm në krijimin e rezistencës ndaj të keqes e cila rrezikon t`i kaploj institucionet e Republikës.

LDK, AKR si edhe Alternativa e kishin të qartë se kush janë kapësit e vërtetë të pushteti dhe Republikës. Votuesit e sajë e kanë dëshmuar më së mirë kur kanë vendosur të “kthehen në shtëpinë e tyre, siç shpreheshin vet, të Ibrahim Rugovës”.

Prandaj koalicioni ynë ishte bashkim i votuesve tanë.

Presioni i çdoditshëm mbi z. Pacolli e bëri të veten. E bëri të veten edhe oferta tepër gjeneroze ndaj biznesmenit Pacolli.

Ajo çfarë është e qartë nga ky koalicion është se nuk fitoi askush, as Pacolli me megaministritë e tij, as Ramushi me një qeveri asimetrike, as sekserët e “Listës Rugova” dhe më së paku fitoi Kosova, e cila më së shumti për gjashtë muaj do të shkojë në zgjedhje të reja nacionale.

Sepse, një qeverisje, me numra në margjinën e shumicës së nevojshme, nuk mund ta zhvilloj asnjë seancë normale të Kuvendit dhe të aprovojë ligje e lere më të merr vendime të mëdha.

Vendimi më i madh dhe më i rëndësishëm do të jetë vetëzhbërja e tyre.

Për mua si Kryetar i LDK-së janë shumë shqetësuese pazaret kaq të mëdha për të qeverisur me çdo kusht.

Prapa saj mund të fshihen interesa të mëdha ose frikë e madhe?!