Tahiri mirëpret nismën e Thaçit: ‘Ekipi i unitetit’ për dialog, ide e qëlluar

Edita Tahiri, udhëheqëse e procesit të dialogut Kosovë-Serbi për vite me radhë, ka konsideruar se nisma e presidentit Hashim Thaçi për ta krijuar një ekip gjithëpërfshirës në këtë proces, është më se e mirëpritur, shkruan “Zeri.info”.

Ajo madje, është shprehur optimiste se do të arrihet një unitet mes partive politike, pasi që ashtu si ajo për shprehur, për të tilla çështje interesi nacional duhet të vihet përpara atij personal

Ministrja Tahiri ka konsideruar se procesi i dialogut ka rëndësi sikurse në njohjet reciproke, ashtu edhe në procesin e integrimit evropian.

“Takimi i thirrur nga Bashkimi Evropian në nivelin e presidenteve të të dyja shteteve,  Kosovës dhe Serbisë, për mendimin tim është i një rëndësie mjaft të madhe, për arsye se dialogu i Brukselit ka rëndësi në proceset e njohjeve reciproke dhe integrimit evropian. Unë pres që në këtë takim të diskutohet se si duhet Serbia t’i zbatojë marrëveshjet që i ka bllokuar”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Tahiri më tej,ka konsideruar se nisma e Thaçit është plotësisht e qëlluar, pasi që për fazën përmbyllëse të dialogut sipas saj, është kërkuar shumë herë një përfshirje më e gjerë të spektrit politik.

“Ndërsa, sa i takon idesë së presidentit për një ekip gjithëpërfshirës, në debatet që kemi zhvilluar, pak a shumë ka gjetur pajtim që faza e përmbyllëse e dialogut mes dy shteteve kërkon një përfaqësim më të gjerë të spektrit politik të Kosovës dhe të gjitha institucioneve shtetërore të vendit. Pra, mendoj që është ide e mirë kjo që e ka iniciuar presidenti Thaçi”, ka potencuar Tahiri.

Ajo më tej, është shprehur optimiste se do të arrihet një unitet mes partive politike sa i përket këtij procesi.

“Ndërsa, nga përvoja ime në proceset politike, e di që kur ka pasur nevojë vendi dhe kombi gjithmonë ka pasur një unitet të faktorëve politikë dhe unë besoj që për çështje të mëdha, interesi nacional duhet të jetë para interesit personal”, ka nënvizuar Tahiri./Zeri