Skënderbeu kundër serbëve
Historia do të përsëritet sërish. Shqiptarët dhe serbët do të zbresin në fushën e blertë kundër njëri-tjetrit tri vjet pas incidentit që kishte ndodhur në Serbi – Shqipëri. Skënderbeu dhe Partizani i Beogradit kanë përfunduar në grupin e njëjtë në Europa League dhe do të përballen në mes vete në mes të muajit tetor dhe nëntor. Klubi shqiptar dhe ai serb kërkojnë të luhet vetëm futboll dhe të mos përzihet politika dhe urrejtjet ndëretnike në të, shkruan sot, gazeta Zeri.
Shqiptarët dhe serbët do të zbresin në të njëjtën arenë të sportit përsëri. Ekzakt tre vjet pas incidentit që kishte ndodhur në Beograd në ndeshjen Serbi – Shqipëri shorti deshi që t’i vërë përballë një skuadër shqiptare dhe një serbe në fazën e grupeve të Europa Leagues.
Skënderbeu dhe Partizani do t’i matin forcat në Evropë, në duelin e dyfishtë që do të luhet në mes muajve tetor dhe nëntor. Të dyja klubet urojnë që të luhet vetëm futboll dhe të mos përzihet politika apo urrejtjet ndëretnike në sportin e luajtur me këmbë.
Dueli i parë në mes tyre do të luhet më 19 tetor në Shqipëri, në kuadër të Grupit B, kurse loja e kthimit do të zhvillohet në Serbi më 2 nëntor.
Daja: Të luhet vetëm futboll
Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, e ka cilësuar shumë të vështirë shortin e së premtes, derisa ka kërkuar që në ballafaqimet me skuadrën serbe, Partizan, të ketë vetëm futboll, e jo diçka tjetër.
“Partizani është i vështirë dhe do shpresoj të luhet vetëm futboll. Shpresoj shumë që të krijohet vetëm një atmosferë futbolli. Kemi kujtime të këqija nga koha e kombëtares në Beograd dhe kjo e bën delikate sfidën”, deklaroi Daja. “Shortin e pritëm me qetësi, sepse e dinim se do të kishim rivalë të vështirë. Do të doja të kishim ndonjë ekip më me emër në grup, por gjithsesi ky është fati ynë dhe ne do ta bëjmë më të mirën! Nuk jemi ende në nivelin për të qenë pretendentë që ta kalojmë grupin, por nuk kemi asgjë për të humbur”, përfundoi trajneri shqiptar.
Edhe presidenti Ardian Takaj shpreson të mos ketë incidente në dy ndeshjet që do të zhvillohen në mes skuadrës shqiptare dhe asaj serbe.
“Do të shkojmë të luajmë futboll kudo, qoftë edhe në Beograd, edhe pse dihet vështirësia për të luajtur me ekipet serbe”, insiston ai.
Djukic: Të gjithë i kemi shanset tona
Trajneri i Partizanit, Miroslav Djukic, nuk ka dashur të flasë për aspektin politik të ndeshjes me Skënderbeut. Sa i përket aspektit sportiv, ai mendon se të gjitha ekipet në grup kanë gjasa për t’u kualifikuar në fazën tjetër. “Mendoj se është një grup i baraspeshuar dhe çdo skuadër e ka mundësinë të kualifikohet në fazën tjetër”, ka thënë trajneri serb, duke iu referuar skuadrës së tij, pastaj Skënderbeut, Dinamo Kievit dhe Young Boys. “Skuadrat e grupit tonë meritojnë respekt të madh dhe na takon neve të përgatitemi si është më së miri”, përfundoi ai.
Skënderbeu, kryetitull në Serbi
Mediet serbe i kanë dhënë theks të veçantë ekipit shqiptar Skënderbeu, i cili ka rënë në të njëjtin grup me Partizanin e Beogradit. “Partizani shkon në Shqipëri”, është titulli i “Tanjug”. Ndërsa titulli i “Kurir” është: “Partizan udhëton në Shqipëri, në Ukrainë dhe në Zvicër”. Për dallim nga herët e kaluara, mediet serbe kanë qenë më të “buta”, pavarësisht faktit se skuadra beogradase do të luajë ndaj një ekipi shqiptar.
Por, një gjë është e sigurt: të dyja duelet pritet të jenë të “nxehta”.
Kjo është hera e dytë në histori që Skënderbeu kualifikohet në fazën e grupeve të Europa Leagues./Zeri/.