Destani motivon lojtarët: Ne nuk dorëzohemi me një humbje, vazhdoni me kokën lart (VIDEO)

Pronari i Shkëndijës, Lazim Destani i ka motivuar futbollistët e Shkëndijës, të cilëve ua ka mbajtur një fjalim në hotelin ku po qëndronin në Milano, pak para rikthimit në Maqedoni, shkruan zeri.info.

Ai është shprehur se futbollistët tetovarë duhet të qëndrojnë me kokën lart për atë që e kanë arritur deri më tash dhe ai beson fuqishëm se Kuqezinjtë do t’ju kthehen shpejt rezultateve pozitive, siç bënë në vitet e fundit, mbi të gjitha pasi klubin e mori në dorë kompania “Ecolog”.

“Ne nuk dorëzohemi me një humbje. Do të kisha dëshirë me dy fjalë të them se ne fituam kur na ra shorti ta kemi Milanin kundërshtar pas tri xhirove të kaluara në Europa League. Ajo është një fitore dhe kjo na solli ne në San Siro dhe ju jeni ata të cilët shumë shqiptarë i bashkuat në stadiumin e ‘San Siros’, ku u fol shqip”, u ka thënë Destani futbollistëve.

“Ballistët e hapën flamurin kombëtar gjigant, ishte kënaqësi dhe krenari për krejt shqiptarët. Nuk duhet të dëshpërohemi me një humbje, pasi humbja na ngre edhe më lart dhe na motivon më shumë për të fituar. I kemi edhe ndeshjet e radhës, do ta analizoni lojën, do të shihni se ku mund të përmirësohemi. Ju dëshiroj sukses dhe të na gëzoni në ndeshjet tjera. Mirupafshim në Shkup, në Tetovë dhe në vendet tona në ditët e ardhshme!”, ka shtuar Destani, i cili është më meritori që Shkëndija është ngritur në nivelin evropian. /Zëri/