OVL e UÇK-së reagon ndaj deklaratave të deputetit Krasniqi
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për Dukagjin, (Deçan, Pejë, Gjakovë dhe Istog), përmes një reagimi për media është shprehur e shqetësuar me disa deklarata të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Kanë thënë se fyerja që po bëhet ndaj Luftës Çlirimtare të Kosovës, është e turpshme.
“Komandantët tonë, për aktivitetin e të cilëve në luftë krenohemi ne, por edhe secili që e ndjen veten shqiptar, nuk duhet të jenë cak i fyerjeve nga askush, e sidomos nga persona të inkriminuar, e të akuzuar për sulm terrorist ndaj institucioneve e rendit demokratik. Ne besojmë se populli do të vetëdijesohet dhe që nuk do të votojë më këto mbetje jugosllave, të cilët kanë marrë përsipër rolin e mëhershëm të UNMIK-ut, në demonizimin e UÇK-së dhe Luftës Çlirimtare”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.
“Mobilizimi jugosllav në Kuvend dhe jashtë tij, na përkujton deklaratat e Vuçiqit dhe Daçiqit, të cilët gjatë fushatës zgjedhore, u alarmuan që në krye të institucioneve do të jetë një komandant si Ramush Haradinaj. Ne rikujtojmë, se komandanti Ramush Haradinaj nuk i ka rënë në gjunjë as Jugosllavisë as Rusisë e as aleatëve të tyre, as në luftë e as në paqe. Deshën apo s’deshën leninistët e titistët, historia moderne e kombit shqiptar përfaqësohet me UÇK-në, e familjet Jasharaj e Haradinaj, janë simbole të kësaj lufte”, kanë thënë më tej ata.
Në fund të kësaj komunikate, “ne ju bëjmë me dije të gjithëve, se në rast rreziku, do të jemi prapë ne veteranët e UÇK-së dhe do të jenë prapë ata komandantët që po fyhen në Kuvend, që do i dalin zot këtij vendi; e klika e kamarierëve, përkthyesve e komesarëve, do të struken në vrimën më të afërt që do e gjejnë, ashtu siç vepruan gjatë Luftës Çlirimtare”.
“Koha e lavdisë ka përfunduar. Ata që pretendojnë që janë përfaqësues të popullit, duhet të kryejnë punët e tyre, që Kosova t’i ketë institucionet, e me histori do të merren historianët dhe ne që e shkruam historinë me gjakun e pushkët tona”, thuhet në fund të kësaj komunikate.