Trajneri i Prishtinës: Na duhet ende kohë që të përballemi me ekipe të mëdha

Trajneri i FC Prishtinës, Arsim Thaqi thotë se ekipit të tij i duhet ende kohë për t’u përballur me ekipe të mëdha, siç ishte në këtë rast Norrkopingu, nga i cili u eliminua nga Europa League pas rezultatit të përgjithshëm 6:0, pas dy ndeshjesh, shkruan zeri.info.

Sidoqoftë, prishtinasit bënë paraqitje solide sonte, edhe pse humbën 0:1 në Mitrovicë.

“Pas pesë golave që i kemi pësuar në lojën e parë, ka qenë e pamundur të bëjmë kush e di farë loje. Na duhet ende kohë që të përballemi me ekipe të këtij niveli. Sido që të jetë, na ka shërbyer shumë kjo përballje”, deklaroi Thaqi në konferencë për shtyp.

Ai tregon se në pjesën e dytë ua dha rastin edhe lojtarëve të rinj, Blendi Baftiu dhe Bleon Sekiraqa për ta provuar dhe përjetuar edhe ata ndjenjën e një ndeshjeje të Europa Leagues. /Zëri/