Paraqitje pozitive, dalin me kokën lartë

- FC Prishtina është mposhtur nga Norrkopingu 0:1 sonte në Mitrovicë, në ndeshjen e kthimit të rrethit të parë eliminator të Europa Leagues, por ka dalë me kokën lartë me atë që tregoi në lojën e sontme në "Adem Jashari", ku e rrezikoi disa herë kundërshtarin. Norrkopingu ka shënuar kur më së paku pritej, pasi nuk pati raste. Prishtinasit treguan pjekuri dhe bënë lojë pozitive, duke i bërë ballë kampionit të 13-fishtë suedez, i cili e kishte siguruar thuajse kualifikimin në ndeshjen e parë, kur kishte fituar 5:0.

- Publiku e duartrokiti FC Prishtinën pas përfundimit të ndeshjes.

- Debuton në Evropë edhe talenti tjetër prishtinas, Bleon Sekiraqa, në moshën 16 vjeçare.

- Norrkopingu shënon në minutën e 71-të. Shënoi sulmuesi Sebastian Andersson, 0:1.

- Talenti i madh prishtinas, Blend Baftiu debuton në Evropë me një moshë shumë të re. Ai do t'i shijojë 25 minuta në ndeshjen e sontme.

- Prishtina ka krijuar 4-5 raste deri tash, kurse Norrkopingu ishte i parrezikshëm.

- Prishtina rrezikoi me Basit Khalit pasi e mori një top nga Lorik Boshnjaku, por futbollisti afrikan e qëlloi rrjetën e jashtme.

- Fillon pjesa e dytë. Ekipet do ta kërkojnë golin e epërsisë në 45 minutëshin e dytë.

- Mbyllet pjesa e parë, pa gola 0:0, ndërmjet FC Prishtinës dhe IFK Norrkopingut në Europa League. Bardhekaltrit kanë bërë paraqitje të shkëlqyeshme në 45 minutat e parë, madje duke rrezikuar 2-3 herë, ndërkohë që e qëlluan edhe shtyllën me Maxhunin. Nga ana tjetër, suedezët ishin të parrezikshëm dhe portieri Alban Muçiqi nuk pati shumë punë në pjesën e parë.

- Lorik Maxhuni e qëlloi shtyllën në minutën e 39-të, Prishtina po tregohet e rrezikshme.

- Armend Dallku po tregohet i pakalueshëm për kundërshtarët. I shkëlqyeshëm në mbrojtje!

- Prishtina i zhvilloi 30 minuta fantastike, duke rrezikuar me Lecin e Mankendan, ndërkohë që edhe reparti i mbrojtjes dhe mesfushës po funksionojnë mjaft mirë.

- Prishtina rrezikoi me Liridon Lecin, i cili me kokë gjuajti pak pranë portës së ekipit mysafir.

- 'Plisat' nuk ndalen së kënduari, ndërsa vërehet edhe prania e dhjetëra tifozëve nga Suedia.

- Norrkopingu po sulmon më shumë, derisa prishtinasit po luajnë me kujdes të shtuar.

- Është hera e parë që një ndeshje e Europa Leagues zhvillohet në Kosovë dhe atë nën dritën e reflektorëve. Ekipi i "Zërit" do t'ju informojë në hollësi nga vendi i ngjarjes.

- Është gjithçka gati për fillimin e ndeshjes ndërmjet FC Prishtinës dhe Norrkopingut, e vlefshme për rrethin e parë kualifikues të Europa Leagues. /Zëri/