Gjermania superiore

Përfaqësuesja e Gjermanisë fitoi Kupën e Konfederatave dhe Kampionatin Evropian U-21 gjatë këtij viti, shkruan sot gazeta Zëri.

Trajneri gjerman, Joachim Low, vendosi që në Kupën e Konfederatave të përfaqësohet me lojtarë kryesisht të rinj në moshë, kurse kishte lënë në shtëpi yje si Thomas Muller, Manuel Neuer, Toni Kroos, Marco Reus apo Mats Hummels.

Emrat e përmendur më sipër janë vetëm disa nga yjet që nuk morën pjesë në Kupën e Konfederatave këtë vit.

Edhe pse Kampionati Evropian U-21 dhe Kupa e Konfederatave nuk janë trofe shumë prestigjiozë, prapë se prapë suksesi i gjermaneve tregon për fuqinë e tyre.

Trajneri Joachim Low e shfrytëzoi Kupën e Konfederatave për t’i testuar futbollistët e rinj, kurse la në pushim yjet e skuadrës.

Gjermanët edhe pse me ekip të ri arritën që për herë të parë ta fitojnë Kupën e Konfederatave, vetëm dy ditë pas suksesit të përfaqësueses U-21 në Kampionatin Evropian.

“Jam shumë krenar me këta futbollistë.”, u shpreh Low pas finales së fituar ndaj Kilit. Në fillim ishim mjaft të emocionuar, por kjo është mëse natyrale për një ekip të ri. Një finale gjithmonë ka diçka magjike”, shtoi ai.

Me të vërtetë ishte mjaft magjike, duke marrë parasysh se triumfi i tyre erdhi vetëm dy ditë pas atij të përfaqësueses U-21.

Këta të fundit ishin mjaftë të ngazëllyer me suksesin, ndërsa senoiorët i hodhën birrë Lowit në konferencën pas ndeshjes finale.

Pas rikthimit në hotel është raportuar se trajneri i ekipit U-21, Stefan Kuntz, ka festuar me cigare dhe verë të kuqe gjatë gjithë natës.

“Nuk mendoj se ka ndonjë ndjenjë më të mirë se kjo”, tha Kuntz.

Gjermanët kishin arritur ta fitonin këtë trofe edhe në vitin 2009, por kësaj here ishte paksa më speciale. Ishte një konfirmim se sistemi i futbollistëve të rinj në Gjermani është në gjendje ta prodhojë më shumë se vetëm një gjeneratë të artë.

“Ne kemi lënë në shtëpi lojtarë shumë të mirë. Por, kemi sjellë lojtarë të rinj në këtë kompeticion për t’ua dhënë atyre një eksperiencë”, tha Low.

“Kumari” ia vlejti dhe gjeneratat e reja tashmë dinë se si të fitojnë tituj ndërkombëtarë. Disa lojtarë në të dyja ekipet treguan se mund të marrin përgjegjësinë kur u kërkohet.

Edhe pse 23-vjeçar, Julian Draxler ishte futbollisti më me përvojë në ekipin e Kupës së Konfederatave dhe ai ia arriti të drejtonte mjaft mirë skuadrën.

Sulmuesi i Leipzigut, Timo Werner, ndërkohë vazhdoi formën e tij të mirë edhe me Gjermaninë, duke qenë një zëvendësues mjaft i denjë i Miroslav Kloses.

Të dy futbollistëve sulmues u janë dhënë çmime shpërblyese në fund të turneut, por edhe mbrojtja e Gjermanisë ishte në nivel.

Kundër Kilit Gjermania ishte nën presion për një kohë të gjatë dhe nuk do të mundë t’ia dilte pa një mbrojtje të fortë.

Niklas Sule dhe Joshua Kimmich tashmë kanë treguar veten në klubet e tyre, por ata bënë shumë mirë edhe me përfaqësuesen e tyre.

Disiplina, forca dhe talenti janë ndërthurur mes vete në përfaqësuesen gjermane. Federata Gjermane e Futbollit ua obligon klubeve akademinë e të rinjve dhe u dikton që t’u jepet hapësirë talentëve vendas, gjë e cila edhe është duke dhënë frytin e saj. /Zëri/