Agjenda e Kosovës, a gjindet në rrugë të duhur?
Me rastin e çertifikimit të zgjedhjeve të fundit të mbajtura në Kosovë, pavarësisht se kush merr mandatin për të formuar qeverinë, çështjet që do të ngriten nga ata do të definojnë nëse Kosova është në rrugën e duhur të zhvillimit dhe stabilitetit si shtet.
Aktualisht, Kosova ballafaqohet me një sërë problemesh, duke filluar nga problemet me sigurinë, zhvillimin ekonomik, arsimin, sundimin e ligjit dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.
Sidoqoftë mënyra se si vendi zgjedhë t'i qaset këtyre problemeve, do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve të saj.
Kosova përballet me shumë probleme në anëtarësim të plotë në organizatat ndërkombëtare. Problemet si, lobimi i Serbisë kundër anëtarësimi të Kosovës në këto organizata, mospërmbushja e kritereve dhe vonesat në implementimin e rekomandimeve, kanë bërë qytetarët të ndihen të dorës së dytë krahas vendeve të tjera të Ballkanit.
Drejt arritjes së liberalizimit të vizave dhe integrimin e mëtejshëm në BE, Kosova është përballur me dy kushte të vështira për të kapërcyer: ratifikimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe ç’rrënjosja e korrupsionit brenda institucioneve.
Për demarkimin e kufirit tashmë ekziston marrëveshja në parim, megjithëse ende nuk është ratifikuar nga Kuvendi. Përderisa vetëm udhëheqësit kosovar mund ta zgjidhin këtë problem, populli pret zgjidhje më të shpejt të kësaj çështje.
Problemi i korrupsionit përkon me sundimin e ligjit në Kosovë. Qytetarët besojnë se korrupsioni është futur thellë në të gjitha institucionet e tyre qeveritare. Përparim ka pasur në këtë fushë me themelimin e dhomave të posaçme për aktakuzat e korrupsionit. Mirëpo këto gjykata në të shumtën e rasteve kanë stagnuar dhe kanë qenë të ngadalshme për të filluar procedurat penale ndaj personave të caktuar.
Puna e vërtetë e sjelljes para drejtësisë të politikanëve të korruptuar mund të zgjidhet vetëm nga institucionet gjyqësore kosovare. Qytetarët, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile që njohin apo kanë informacione për politikanë të tillë, duhet të veprojnë për t'i mbajtur ata llogaridhënës dhe duke lajmëruar çdo aferë korrupsioni tek organet e drejtësisë. Jo vetëm që kjo vigjilencë e vazhdueshme shoqërore do të ndihmonte në çrrënjosjen e korrupsionit, por gjithashtu do të ndihmonte sundimin e ligjit në Kosovë dhe pavarësimi e gjyqësorit nga politika.
Një çështje tjetër e rëndësishme me të cilën ballafaqohet Kosova ka të bëjë me dialogun e zvarritur mes Kosovës dhe Serbisë. Krijimi i "marrëdhënieve të mira fqinjësore" do të ishte një arritje e rëndësishme për të dyja palët për integrim të mëtutjeshëm në Bashkimin Evropian. Ekziston nevoja që procesi i dialogut të reformohet mes të dy palëve.
BE-ja që ka një rol lehtësues në dialog duhet përfshihet më shumë dhe të kërkoj nga udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës të i zbatojnë marrëveshjet e arritura. Që ky dialog të jetë sa më produktiv duhet që të dy palët të e mbajnë këtë dialog sa më transparent në mënyrë që marrëveshjet e arritura të implementohen.
Reforma e arsimit është një problem themelor që Kosova duhet ta zgjidhë. Tani për tani, postet administrative të arsimit po përdoren si tregues i favoreve brenda partive. Si rezultat, sistemi i arsimit në Kosovë nuk ofron arsim cilësor të nevojshëm për të rinjtë dhe për të avancuar ata.
Kjo cilësi e ulët arsimore ka një efekt të gjerë të valëzuar në tërë Kosovën, duke ndikuar në të gjitha fushat duke nisur nga zhvillimi ekonomik dhe punësimi. I gjithë sistemi ka nevojë për reforma nga lartë-poshtë, duke u përqëndruar në zhvillimin e aftësive të të menduarit kritik dhe duke u siguruar që çdo fëmijë kosovar të ketë mundësi të shkojë në shkollë. Me një themel më të fortë në vend, Kosova do të jetë më mirë e pajisur për të trajtuar sfidat aktuale dhe të ardhshme.
Deri sot, Kosova duket se po zhvillohet në drejtimin e duhur, por qytetarët po përballen me një moment kritik pas zgjedhjeve. Qytetarët kanë zgjedhur udhëheqësit/et e tyre, e ata janë individët përgjegjës që do të ndihmojnë zhvillim e vendit.
Pesimizmi mund të ngjyrosë shumë mendime të kosovarëve mbi atë se sa efektivit do të jenë udhëheqësit e tyre. Kosova ka një mori problemesh të ndryshme që nuk do të zgjidhen lehtë. Por dëshira për zhvillim të vendit dhe udhëheqësit/et që do të punjonë në zgjidhjen e këtyre problemeve do të sjellin përfitime në fund të fundit për qytetarët e këtij vendi.